Trainkos dërgoi vagonët për riparim në Serbi, ndëshkohet punëtori që foli – Haradinaj publikon dokumentin

Ndërmarrja Publike “Trainkos”, e cila është në pronësi të Qeverisë së Kosovës dhe nën autoritetin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është përfshirë në një debat publik pas konfirmimit se riparimi i vagonëve të saj është kryer në Serbi.

Çështja mori vëmendje më të madhe pasi njëpunëtor i “Trainkos” u përball me masa disiplinore, pas deklaratave të tij publike se vagonët ishin dërguar për servis në shtetin fqinj.

Punëtori reagoi duke thënë se nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe se, si qytetar, i vinte keq për rreth gjysmë milioni euro që, sipas tij, po shkonin në Serbi

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Daut Haradinaj nga Aleanca, i cili ka publikuar vendimin, përkatësisht dokumentin që dëshmon vizitën në Serbi për riparimin e vagonëve.

Sipas dokumentit, të protokolluar me numër 779 dhe të datës 13 nëntor 2024, Komisioni për Pranimin e Projektit ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Zrenjanin të Serbisë.

Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke i kërkuar asaj që ta demantojë rastin nëse pretendimet nuk janë të vërteta.

“Kjo është turp për ty ministre,” ka shkruar Haradinaj.

“Ama, mos harro, mandati të përfundon, ndërsa ajo që ke bërë do të të përcjellë gjithmonë”, shkroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *