Riparimi i vagonëve të Trainkos, Ramadani: Pak muaj pas Banjskës, Qeveria Kurti bëri biznes me Serbinë
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas publikimit të dokumentit për riparimin e vagonëve të trenit në Serbi.
Publikimi i këtij dokumenti është bërë nga bashkëpartiaku i tij, Daut Haradinaj, pasi Klan Kosova raportoi për masat që janë ndërmarrë ndaj punëtorit, Asdren Ademi, që njoftoi publikisht për vizitën e zyrtarëve të Trainkos në Serbi.
Ramadani ka kritikuar ashpër partinë në pushtet, pasi sipas tij, kjo ka ndodhur pas sulmit terrorist në Banjskë.
“Pas sulmit në Banjskë, pushteti biznes direkt në Serbi. I japin kontratë Serbisë. Kjo me dokument! Shkojnë në Serbi për renovim të Vagonëve. Krejt kjo në vitin 2024. Pra, veç pak muaj pas sulmit paramilitar në Banjskë. Paratë e popullit të Kosovës i çuan në Serbi! Kur një punëtor i brendshëm e thotë këtë publikisht, në vend që të shkarkohet Ministrja, e heqin prej pune punëtorin! Tash SHKARKIMI ËSHTË PAK!”, ka shkruar Ramadani.
