Skender Hyseni propozohet për President

Në mesin e emrave të propozuar për presidentin e ardhshëm të Kosovës, është hedhur edhe emri i ish-ministrit Skënder Hyseni.

Propozimi është bërë nga Mustafë Abazi, kryetar i Rrjetit të Bizneseve për Diasporën në Gjermani, i cili e ka vlerësuar Hysenin si një figurë me përvojë të gjatë institucionale, diplomatike dhe me integritet.

Abazi ka theksuar se Hyseni ka pasur një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së presidentit Ibrahim Rugova, fillimisht si këshilltar dhe zëdhënës i tij, ku sipas tij ka fituar përvojë të drejtpërdrejtë në përfaqësimin dhe diplomacinë e Kosovës.

Ai ka përmendur gjithashtu angazhimin e Hysenit në proceset shtetformuese të Kosovës, duke theksuar se ai është një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008.

Hyseni më pas ka mbajtur edhe poste të larta shtetërore, përfshirë atë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Ministrit të Punëve të Brendshme.

Sipas Abazit, përvoja e Hysenit shtrihet në disa prej periudhave më të rëndësishme të zhvillimit politik dhe institucional të Kosovës, nga epoka e presidentit Rugova e deri te shpallja e Pavarësisë dhe konsolidimi i institucioneve.

Propozimi për Hysenin është paraqitur si një alternativë që synon konsensusin politik dhe unitetin institucional në vend.

Tahiri: Pas përfundimit të procesit gjyqësor, Thaçi duhet të rikthehet në Presidencë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar rikthimin e Hashim Thaçit në postin e Presidentit të Kosovës, pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj tij.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se deklarata e tij e një dite më parë, se Thaçi është presidenti që i duhet Kosovës, është mbështetur edhe nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Sipas Tahirit, pas përfundimit të procesit më 16 shtator, Thaçi duhet të rikthehet në Zyrën e Presidentit.

Menjëherë pas përfundimit të procesit më 16 shtator, Presidenti Thaçi duhet të rikthehet në Zyrën e Presidentit”, ka shkruar ai.

Tahiri ka thënë se një rikthim i tillë do të përbënte, sipas tij, një korrigjim të vonuar të asaj që e ka cilësuar si “padrejtësi të zgjatur”.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke shprehur shpresën për lirimin e tyre pas përfundimit të procesit.

Pas 16 shtatorit, ata duhet të lirohen dhe të fillojë numërimi përpara i Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

 

Reagon pronari i restorantit në Radoniq, i çon “selame” Fitore Pacollit

Pronari i Hotel & Restaurant “Liqeni i Dukagjinit” në Radoniq ka reaguar pas deklaratave publike të ministres në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli, lidhur me mbylljen e këtij biznesi.

Në reagimin publik, drejtori i kompanisë “Liqeni Dukagjin” Sh.P.K. ka thënë se restoranti vazhdon të jetë i hapur dhe se deri më tani nuk u është dorëzuar apo komunikuar zyrtarisht ndonjë vendim për mbylljen e aktivitetit, shkruan IndeksOnline.

“Deri në këtë moment, kompanisë sonë nuk i është dorëzuar apo komunikuar zyrtarisht asnjë vendim për mbylljen e aktivitetit”, thuhet në reagim.

Ai ka mohuar gjithashtu se biznesi ka pranuar ndonjë vërejtje apo konstatim zyrtar se aktiviteti i tij ka shkaktuar ndotje apo dëmtim të cilësisë së ujit.

Reagimi i plotë:

“Si Drejtor i kompanisë Liqeni Dukagjin Sh.P.K., ndihem thellësisht i shqetësuar dhe i prekur nga deklarata publike e Ministres në detyrë të Mjedisit, znj. Fitore Pacolli, lidhur me mbylljen e Hotel & Restaurant Liqeni i Dukagjinit.

Dua t’i njoftoj klientët tanë, bashkëpunëtorët dhe opinionin publik se Hotel & Restaurant Liqeni i Dukagjinit është i hapur dhe vazhdon aktivitetin e tij normalisht.

Deri në këtë moment, kompanisë sonë nuk i është dorëzuar apo komunikuar zyrtarisht asnjë vendim për mbylljen e aktivitetit.

Gjithashtu, dua të theksoj qartë se ne nuk kemi pranuar asnjë vërejtje apo konstatim zyrtar se veprimtaria jonë ka shkaktuar ndotje, dëmtim apo prishje të cilësisë së ujit, ashtu siç është lënë të kuptohet në deklaratat publike.

Liqeni Dukagjin Sh.P.K. posedon dokumentacionin përkatës për ushtrimin e veprimtarisë së saj, dhe jemi plotësisht të gatshëm që çdo çështje ta sqarojmë dhe ta trajtojmë përpara institucioneve kompetente. Ne i respektojmë institucionet e Republikës së Kosovës dhe do t’i përgjigjemi çdo procedure institucionale dhe ligjore me transparencë të plotë.

Ajo që na ka prekur veçanërisht është fakti se një deklaratë e tillë publike prek jo vetëm emrin dhe reputacionin e kompanisë, por edhe mbi 60 punëtorë të punësuar në biznesin tonë. Pas secilit prej tyre qëndron një familje që mbahet nga paga dhe puna e ndershme që realizohet çdo ditë në këtë kompani.

Prandaj, jemi thellësisht të prekur nga deklarata e dhënë, sepse publikimi i lajmit për mbylljen e biznesit, pa na u dorëzuar paraprakisht një vendim zyrtar, ka shkaktuar shqetësim te klientët, partnerët, punëtorët dhe familjet e tyre, si dhe dëm serioz në imazhin e kompanisë sonë.

Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se respektimin e procedurave ligjore, transparencë dhe trajtim të drejtë institucional.

Nëse ekziston ndonjë pretendim ndaj kompanisë sonë, jemi të gatshëm të përballemi me të përmes institucioneve përkatëse dhe të paraqesim çdo dokument që kërkohet.

Deri atëherë, i sigurojmë të gjithë klientët dhe bashkëpunëtorët tanë se:

HOTEL & RESTAURANT LIQENI DUKAGJIN VAZHDON TË JETË I HAPUR DHE NË SHËRBIM TË KLIENTËVE TË TIJ.”

Kurti prezanton projektin e banimit social adekuat: 37 milionë € për 21 komuna

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar sot projektin për banim social adekuat në Kosovë, për të cilin janë siguruar gjithsej 37 milionë euro, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet në nevojë.

Kurti tha se projekti përfaqëson një investim të rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, barazinë dhe sigurinë sociale, duke theksuar se banimi duhet të trajtohet si pjesë e politikave sociale të shtetit.

“Një familje e cila nuk mund të ndihet e sigurt, atëherë duhet patjetër të bëhemi si shtet strehë për të. Një familje që nuk mund të ketë mundësi të barabarta, atëherë duhet që ne të sigurojmë patjetër kushte të përshtatshme banimi”, deklaroi Kurti, në konferencën e përbashkët me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, dhe me ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, zotërinë Andin Hoti.

Ai tha se qeveria gjatë mandatit të saj ka ndërmarrë masa të ndryshme për mbështetjen e familjeve, veçanërisht atyre me fëmijë dhe familjeve që përballen me vështirësi ekonomike.

“Mbështetja për një familje nuk është vetëm një pagesë mujore, mbështetja është edhe mundësia që ajo familje të ketë strehim të përshtatshëm, të sigurt e dinjitoz”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, projekti është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore, komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Qeveria, tha ai, ka siguruar 25 milionë euro përmes një marrëveshjeje kredie me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro të tjera janë ndarë nga buxheti i Kosovës.

“Pra kemi siguruar një fond të përgjithshëm prej 37 milionë euro. Ky është gjithsesi një investim i madh”, tha Kurti.

Ai theksoi se 21 komuna do të përfshihen në projekt dhe se qindra familje pritet të përfitojnë nga ndërhyrjet që do të realizohen.

“Sot kemi ardhur në një pikë ku ky angazhim po kalon nga planifikimi dhe përgatitja në fazën konkrete të zbatimit”, tha kryeministri në detyrë.

Kurti shtoi se komunat do të kenë rol të rëndësishëm në zbatimin e projektit, përfshirë procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjen e familjeve përfituese.

Tronditëse në Podujevë: I mituri qëllon aksidentalisht vëllanë 10-vjeçar me kallash

Një fëmijë 10-vjeçar është lënduar si pasojë e shkrepjes aksidentale të një arme zjarri në Podujevë.

Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur rreth orës 12:00, kur një i mitur ka marrë një armë të tipit AK-47 dhe, gjatë manipulimit me të, ka shkrepur një fishek. Predha ka goditur vëllanë e tij 10-vjeçar.

I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë, ndërsa sipas policisë, është jashtë rrezikut për jetë.

Gjatë kontrollit në shtëpi, policia ka gjetur dhe konfiskuar si prova materiale një armë AK-47, së bashku me një karikator me 20 fishekë, transmeton Klankosova.tv.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se nipi i tij  i mitur ka marrë armën AK-47 dhe gjatë manipulimit ka shkrepur një fishekë dhe predha ka goditur vëllanë e tij fëmijë 10 vjeçar. I lënduari është dërguar  për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë dhe është jashtë rrezikut për jetë. Gjatë kontrollit të shtëpisë në cilësi të provave materiale është gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47 me një karikator me 20 copë fishekë. Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar i departamentit për të mitur i cili ka urdhëruar që rasti të inicohet si më lartë, ndërsa i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt”.

Elshani: Situata e sigurisë në veri e qetë dhe stabile, por vazhdon të jetë delikate për shkak të veprimeve të mundshme politike

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë dhe stabile, por vazhdon të jetë delikate, kryesisht për shkak të veprimeve apo vendimeve të mundshme politike.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës është e pranishme në të gjithë veriun e vendit dhe se nuk ka ndonjë problem të theksuar sa i përket sigurisë.

“Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, është stabile dhe vazhdon të jetë delikate. Kur them delikate, është më shumë për shkak të veprimeve të mundshme apo vendimeve të mundshme politike. Sepse përndryshe Policia e Kosovës është në krejt veriun e vendit dhe nuk ka ndonjë problem për me theksuar. Ajo çka duhet me thënë është që në rast se do të ndodhë ndonjë incident, Policia i ka kapacitetet e veta për me u marrë me atë problem”, ka thënë Elshani.

Sipas tij, aktualisht Policia e Kosovës ka staf të mjaftueshëm për të menaxhuar situatën në veri.

Elshani ka theksuar edhe rritjen e numrit të pjesëtarëve të komunitetit serb në Policinë e Kosovës.

“Ne jemi, qëndrojmë shumë mirë me staf policor, me personel. Kemi pasur një mungesë, një mangësi shumë të madhe të personelit policor të përkatësisë etnike serbe, të kosovarëve të përkatësisë etnike serbe. Tash i kemi 151 policë të cilët janë të përkatësisë etnike serbe. Rreth 450 policë në total mjaftojnë për rajonin e veriut sepse nuk ka shumë krim atje, më shumë ka të bëjë me politikë sesa me krim. Por Policia është duke menaxhuar komplet situatën në veri dhe ne jemi të gatshëm me reaguar në rast se diçka ndodh”, është shprehur ai.

I pyetur për dritën e gjelbër që Bashkimi Evropian i dha hapjes së urës së Ibrit, Elshani tha se urat lidhin njerëzit dhe nuk i ndajnë.

“Ne i kemi disa ura të tjera derisa vjen kjo ura kryesore këtu dhe nuk ka absolutisht kurrfarë problemi për kalimin e njerëzve edhe të mallrave edhe të veturave. Urat lidhin njerëzit, nuk ndajnë. Unë nuk dua me thënë diçka për urën specifike, për urën kryesore, por kurrfarë rreziku nuk ka në veri të vendit sepse Policia është aty në secilin vend edhe ne kemi shumë reagime që i bëjmë edhe ndaj njerëzve të cilët janë shtetas kosovarë të përkatësisë etnike shqiptare ose serbe apo të tjerë. Kështu që ne e kryejmë punën tonë, e ruajmë rendin dhe qetësinë publike. Më shumë ka retorikë politike sa i përket kësaj pune sesa ajo çka ka të bëjë me siguri, me çështje të sigurisë”, ka deklaruar Elshani, për Ekonomia Online.

Ai ka folur edhe për kërcënimet ndaj Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se pjesëtarët e Policisë janë mësuar me situata të tilla gjatë viteve të fundit.

“Ne jemi që katër vjet aty, jemi mësuar me ato kërcënime: ‘ju vrasim sot, ju vrasim nesër’. Hala s’na kanë vrarë. Kurdoherë që vjen puna aty, merresh me atë lloj situate. Policia e ka punën e vet, e kryejmë punën tonë edhe nuk ka nevojë me u brengosë as qytetarët, sepse në rast se ka nevojë me reaguar, ne jemi aty”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.