Detaje të reja nga QKUK për tragjedinë në Malishevë: 25-vjeçarja pa shenja jete, 26-vjeçari në gjendje shumë të rëndë
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka dhënë detaje lidhur me rastin tragjik të ndodhur në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua humbi jetën, ndërsa bashkëshorti i saj mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Sipas njoftimit të QKUK-së, rreth orës 00:15 të datës 24 gusht 2026, në Qendrën Emergjente janë pranuar dy persona nga rajoni i Malishevës.
“Njëra prej personave të pranuar, femër, 25-vjeçare, ka arritur në Qendrën Emergjente pa shenja jete, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Personi tjetër, mashkull, 26-vjeçar, është pranuar me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente. Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë shumë e rëndë.”, thuhet në njoftim.
QKUK thekson se rrethanat dhe shkaqet e sakta të rastit janë në kompetencë të organeve hetimore, ndërsa stafi mjekësor po vazhdon të ofrojë trajtimin e nevojshëm dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse.
