div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date paged custom-background wp-custom-logo paged-2 date-paged-2 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Zgjedhjet e 7 qershorit, ky është koalicioni i vetëm deri tani

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi,  për RTV21 ka bërë  të ditur se deri më tani (e mërkurë, 6 maj 2026, ora 12:00), KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike; mospjesëmarrjen nga 4 të tjera dhe formimin e 1 koalicioni të përbërë nga 2 parti politike.

“Është duke vazhduar periudha për partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës për ta njoftuar KQZ-në për: pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Kjo periudhë ka filluar më 1 maj dhe do të përfundojë më 7 maj. Deri më tani (e mërkurë, 6 maj 2026, ora 12:00) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike, mospjesëmarrje nga 4 parti politike dhe 1 koalicion i përbërë nga 2 parti politike”,   njoftoi Elezi.

Sipas tij këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrimit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.

Sipas Elezit, partitë politike që deri në këtë kohë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: Partia Socialdemokrate; Kosovaki Nevi Romani Partia; Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; Za Slobodu Pravdu i Opstanak; Srpska Lista; Yenilikçi Türk Hareket Partisi; Lidhja Demokratike e Kosovës; Fjala; Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; Socialdemokratska Unija; Jedinstvena Goranska Partija; Kosova Demokratik Türk Partisi; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; Nova Demokratska Stranka; Partia Liberale Egjiptiane; Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; dhe Kosovski Savez.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se , partitë politike që deri më tani kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: Partia Demokratike e Unitetit; Balli Kombëtar i Kosovës; Lëvizja Qytetare Vatra; dhe Bashkimi për Ndryshim Anamorava.

Qe  6 ditë nga hapja e afatit për deklarim të koalicioneve, KQZ ka pranuar vetëm njoftimin për formimin e koalicionit nga dy parti boshnjake. Bëhet fjalë për Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, që kanë paraqitur në KQZ koalicionin me emrin “Koalicija VAKAT”.

Sipas KQZ-së, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koalicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë.

Më tej ai njoftoi se afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj.

“Duke filluar nga data 2 maj dhe deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.

Ai shtoi se  dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.

“KQZ ka vendosur afatin 11-ditore, nga 2 maj deri më 10 maj 2026, për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.

“Përplasjet” me Abdixhikun, Rama zbulon hapur cilën parti do ta mbështesë më 7 qershor

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka dalë me një reagim pas ndryshimeve të fundit në komunën e Prishtinës dhe riformatimit të qeverisjes.

Rama ka konfirmuar ai do të qeverisë në kryeqytet në bashkëqeverisje me PDK-në dhe disa parti të tjera, pak pasi Lidhja Demokratike e Kosovës me të cilën i fitoi mandatet, mohoi një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Rama ka thënë në postimin e tij se “qytetarët nuk jetojnë në parti, jetojnë në komunitet të përbashkët, prandaj ata janë përgjegjësi e përbashkët”.

Ai tha se emërimet nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), janë bërë konfirm propozimeve të ardhura nga ”Kolegjiumi” i përbërë nga pesë degët e Prishtinës duke shtuar se paralelisht, janë emëruar edhe përfaqësuesit e partnerëve të koalicionit  AAK, Nisma, Lidhja për Prishtinën dhe PDK, duke reflektuar, sipas Ramës një qasje gjithëpërfshirëse dhe funksionale.

Në fund, Rama ka thënë se në këto zgjedhje do të përkrahë LDK-në siç ka bërë të të kaluarën.

Reagimi i plotë:

Qeverisja është, në thelb, përgjegjësi ndaj qytetarit.

Prandaj, obligimi ynë moral dhe politik është i qartë: të ofrojmë qeverisje që u shërben qytetarëve me përgjegjësi, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë.
Politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për të realizuar të mirën publike: për qytetarin.

Sot, Prishtina ndodhet para një momenti të rëndësishëm historik dhe zhvillimor. Me projektet madhore që na presin, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, ne nuk po ndërtojmë vetëm infrastrukturë moderne, por po ndërtojmë identitetin dhe perspektivën e një Kryeqyteti europian, funksional dhe konkurrues.

Këto procese kërkojnë stabilitet institucional, bashkëpunim dhe vendimmarrje të përgjegjshme.
Në një rend demokratik, dallimet janë të natyrshme dhe legjitime. Por pjekuria politike matet me aftësinë për t’i tejkaluar ato në funksion të interesit të përbashkët.

Qytetarët nuk jetojnë në parti, jetojnë në komunitet të përbashkët, prandaj ata janë përgjegjësi e PËRBASHKËT. Nevojat e tyre nuk janë çështje interpretimi politik, por detyrim për zgjidhje konkrete të menjëhershme.

Jam kundër çdo retorike përçarëse. Ne jemi një POPULL. Një SHTET. Prandaj, duhet vizion i përbashkët, stabilitet dhe veprime të përgjegjshëm institucionale nga secili prej nesh.
Duke vendosur qytetarin në qendër dhe duke qenë të vetëdijshëm se pushteti është shërbim, e jo instrument bllokimi, kemi finalizuar bashkëqeverisjen në Kryeqytet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Lidhjen për Prishtinën dhe së fundmi me Partinë Demokratike të Kosovës(PDK).

Në këtë kuadër, emërimet nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), janë bërë konfirm propozimeve të ardhura nga ”Kolegjiumi” i përbërë nga pesë degët e Prishtinës, një mekanizëm i themeluar nga vetë LDK, që garanton përfaqësim, balancë dhe legjitimitet të brendshëm. Paralelisht, janë emëruar edhe përfaqësuesit e partnerëve tanë nga AAK, Nisma, Lidhja për Prishtinën dhe PDK, duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe funksionale.

Kryeqyteti është shembull i bashkëpunimit dhe zhvillimit dhe ashtu do të mbetet!
Shpreh mirënjohje të veçantë për drejtorët e deritanishëm, të cilëve u ka përfunduar mandati, për profesionalizmin dhe kontributin e tyre të çmuar në shërbim të qytetit. Ndërsa drejtorëve të rinj u uroj suksese dhe përgjegjësi të lartë në detyrat që marrin përsipër.

Ashtu siç e kam përkrahur pakusht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës!

Kosova nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim, por për institucione funksionale, bashkëpunim dhe vizion për zhvillim. Sepse lidershipi i vërtetë nuk matet me aftësinë për të krijuar tension, por me aftësinë për të bashkuar njerëzit, për të ndërtuar stabilitet institucional, dhe për ta çuar vendin përpara.

 

Rrahje mes pasagjerëve, avioni nga Londra bën ulje emergjente në Prishtinë

Një incident është regjistruar në bordin e një avioni të kompanisë easyJet, ku një përleshje mes pasagjerëve detyroi devijimin e fluturimit dhe uljen emergjente në Kosovë.

Siç raporton “The Sun”, që ka publikuar edhe pamjet nga incidenti, një grua që besohet të jetë shtetase britanike, dyshohet se kishte konsumuar vodka dhe më pas ka shpërthyer në sjellje agresive, duke tentuar të godasë një pasagjer tjetër dhe duke i pështyrë në fytyrë.

Ngjarja ndodhi në fluturimin që ishte nisur nga Gatwick Airport drejt Antalya, por për shkak të situatës së krijuar, avioni u detyrua të bëjë një ulje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Në pamjet e publikuara shihet edhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës, që largon nga avioni dy pasagjerët./Reporteri.net

Vdes një 61 vjeçar në hotel

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në Zveçan, ku një person është gjetur pa shenja jete brenda një hoteli, mëson Sinjali.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Nemanjina”, në objektin e njohur si Hoteli “3”, ku emergjenca ka marrë një telefonatë për një person që dyshohej se kishte ndërruar jetë.

Sipas informacioneve, ekipi mjekësor ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe rreth orës 11:00 ka konstatuar vdekjen e viktimës, e identifikuar si Hamdi Alia, rreth 61-vjeçar.

Pas njoftimit, në hotel kanë dalë njësitë policore, hetuesia rajonale dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Vdekje e dyshimtë”.

Trupi i pajetë është tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe është dërguar për obduksion.

Rasti mbetet nën hetime.

Dy deputetët e LDK-së që bojkotuan mbledhjen e Kryesisë ku u vendos ‘bashkimi’ me Vjosa Osmanin

Dy anëtarët e Kryesisë së LDK’së, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, kanë bojkotuar mbledhjen ku u votua për bashkëpunimin me ish-Presidenten Vjosa Osmani. Në fotot e mbledhjes të publikuara nga Abdixhiku, ata nuk shihen askund.

Kryesia e LDK’së, në një mbledhje që mbajti me kryetarët e degëve, i dha dritën e gjelbër bashkëpunimit me ish-Presidenten Vjosa Osmani, për të garuar në një listë për zgjedhjet e 7 qershorit.

Por, në mbledhje, munguan dy prej figurave kryesore të kësaj partie, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti.

Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, publikoi foto nga mbledhja, ku bie në sy mungesa e dyshes.

“Nga takimi i përbashkët i Kryesisë me Degët. Po bashkohemi! Do të bashkohemi! LDK përgjithmonë!”, shkroi Abdixhiku.