Ndërsa ngjarja e rëndë në Fier ka tronditur mbarë opinionin publik, një tjetër fenomen po aq shqetësues po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale. Në rrjet kanë filluar të qarkullojnë video të tjera nga momenti i ngjarjes, ku shfaqet qartë fytyra e viktimës 17-vjeçare, duke i shtuar asaj një traumë të re dhe duke i zgjatur vuajtjen.
Mënyra se si po qarkullojnë këto pamje krijohet përshtypja se ato po ripublikohen me qëllim të vetëm për të vazhduar poshtërimin publik të të miturës. Kushdo që zgjedh t’i shpërndajë këto materiale, sidomos duke mos ia mbuluar fytyrën viktimës, bëhet pjesë e të njëjtit zinxhir dëmi dhe mban përgjegjësi direkte morale për përhapjen e këtij bullizmi kibernetik.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, bëhet thirrje urgjente që qytetarët të mos i shpërndajnë këto video nëse i ndeshin në rrjetet sociale, por t’i raportojnë menjëherë. Viktima ka nevojë për mbështetje institucionale dhe solidaritet shoqëror, dhe jo që dhuna e poshtërimi ndaj saj të ushqehen më tej përmes klikimeve dhe shpërndarjeve.
Dy ditë pasi u publikua video që tronditi opinionin publik, ku një 17-vjeçare dhunohej nga bashkëmoshataret e saj në Fier, ka folur për herë të parë nëna e së miturës. Mes lotësh, ajo rrëfen se familja vazhdon të jetojë me pasojat e rënda psikologjike të asaj ngjarjeje, duke treguar se prej një muaji nuk arrin të flejë, ndërsa vajza e saj vazhdon të përjetojë traumën e asaj që ndodhi.
Ajo tregon se sa herë shtrihet në krevat, i dalin para syve videot e dhunës, ndërsa dëgjon vajzën e saj që i thërret “o ma” dhe e sheh duke kërkuar ndihmë, duke e cilësuar këtë si një dhimbje që nuk përshkruhet.
Menjëherë pasi kishte mësuar ngjarjen, ajo i ishte drejtuar Komisariatit të Policisë Fier për të bërë kallëzimin dhe për të kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve, duke bashkëpunuar që në orët e para dhe duke shoqëruar efektivët në banesën ku ndodhi ngjarja.
Megjithatë, pas premtimeve fillestare se rasti do të ndiqej, familja mbeti pa informacion për ecurinë e procedurave. Gjatë këtyre ditëve të pritjes, gjendja e vajzës u rëndua edhe më shumë psikologjikisht; ajo nuk hante, flinte gjithë ditën, qante dhe çdo zhurmë e trembte duke e bërë të shikonte vazhdimisht nga dritarja me frikë. Kjo e detyroi nënën të rikthehej disa herë në komisariat për të kërkuar informacion mbi fazën e dosjes dhe për të dorëzuar materialet që kishte në telefon.
Në fund, nëna u ndal edhe te reagimi publik i nënës së njërës prej vajzave të përfshira, e cila kishte kërkuar falje dhe kishte deklaruar se e bija vuante nga probleme të shëndetit mendor. Pavarësisht kësaj, nëna e 17-vjeçares u shpreh e prerë se nuk mund t’i falë dhunueset për atë që i bënë të bijës, pasi plagët fizike mund të kalojnë, por pasojat psikologjike të dhunës vazhdojnë të rëndojnë mbi vajzën dhe gjithë familjen e tyre. /Prive By Liberta Spahiu