U godit nga vetura derisa ishte në detyrë, polici Altin Kryeziu në gjendje kritike – flasin nga QKUK-ja

Zyrtari policor Altin Kryeziu, i cili mbeti i lënduar në aksidentin e rëndë të së dielës në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mësohet se Kryeziu në momentin e aksidentit ishte në detyrë zyrtare, kur njëri prej automjeteve të përfshira doli jashtë rrugës dhe e goditi atë.

Lidhur me gjendjen e Kryeziut, ka folur drejtori i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, Shaqir Uka.

Ai ka bërë të ditur se polici vazhdon të marrë trajtim në Njësinë e Mjekimit Intensiv, ndërsa gjendja e tij paraqitet jostabile dhe kritike.

“Pacienti të cilit ju i referoheni vazhdon të marrë tretmanin mjekësor edhe më tutje në njësinë e Mjekimit Intensiv. Gjendja e përgjithshme e tij paraqitet të jetë jostabile dhe kritike, edhe përkundër angazhimit maksimal të ekipës mjekësore”, ka deklaruar Uka  /sinjali

KEK-u humb tre punëtorë për më pak se dy muaj, Kurti hesht për rastet

Për më pak se dy muaj, tre punëtorë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në vendin e punës në Korporatën Energjetike të Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze për kushtet e sigurisë dhe masat që po ndërmerren për mbrojtjen e punëtorëve.

Rasti i parë kishte ndodhur më 8 korrik, kur punëtori Milazim Binaku kishte pësuar lëndime të rënda gjatë kryerjes së detyrave në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj.

Pas disa ditësh trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Binaku nuk kishte arritur t’u mbijetonte lëndimeve, ndërsa vdekja e tij ishte konfirmuar më 16 korrik.

Një muaj më vonë, më 16 gusht, një tjetër punëtor i KEK-ut, Haxhi Gojnovci, humbi jetën në vendin e punës. Sipas njoftimit të Korporatës, aksidenti kishte ndodhur derisa ai po lëvizte në zonën e ekskavatorit.

Vetëm katër ditë më vonë, më 20 gusht, është shënuar viktima e tretë.

Arbenit Ahmeti humbi jetën pasi, sipas KEK-ut, gjatë angazhimit në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV kishte rënë në kontakt me tensionin elektrik.

Ai ishte dërguar menjëherë për trajtim në Ambulancën e Obiliqit, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte lëndimeve

“Sipas informatave fillestare, gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda. Menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe punonjësi është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra”, kishte njoftuar KEK-u.

Tri vdekje brenda një periudhe kaq të shkurtër kanë shtuar pikëpyetjet për sigurinë e punëtorëve në KEK, funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe masat parandaluese në vendet me rrezik të lartë.

Deputetë nga LDK, PDK dhe AAK kanë ngritur shqetësime për sigurinë në punë, kushtet e punëtorëve dhe numrin e pamjaftueshëm të inspektorëve.

Ndërkohë, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë reagim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me tri rastet e vdekjes së punëtorëve të KEK-ut. Kjo ka marrë vëmendje edhe për faktin se Kurti kishte reaguar publikisht për një incident në Vlorë, ku disa pushues u lënduan pas përfshirjes së një hoteli nga zjarri.

Rastet e fundit kanë rikthyer në vëmendje nevojën për mbikëqyrje më të fortë të sigurisë në punë dhe përgjegjësi institucionale për parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale.

Nuk e vizitoi asnjëherë në Hagë, ja çka thotë Thaçi për Kurtin

Ish-presidenti, Hashim Thaçi ka shmangur komentet për qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Në intervistën ekskluzive për Debat Plus me Ermal Pandurin, Thaçi është pyetur nëse do ta priste Kurtin në rast se ai do të shprehte vullnet për ta vizituar në Hagë.

“Nuk deklarohem për situata hipotetike”, ka thënë Thaçi.

I pyetur se si e konsideron faktin që Kurti nuk ka vizituar asnjërin prej katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Thaçi është përgjigjur:

“Nuk dua të merrem me disponimet apo sjelljet e të tjerëve.”

Thaçi ka zgjedhur të mos japë koment të drejtpërdrejtë as për qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara.

“Nuk kam koment”, ka thënë ai kur është pyetur për këtë çështje.

Në të njëjtën intervistë, Thaçi është pyetur edhe për praninë e ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në sallën e gjyqit.

“Kishte shumë njerëz në galeri. Vëmendjen e kisha tek familjarët që ishin ulur në një hapësirë më të dukshme. U përshëndeta nga distanca me të gjithë”, ka deklaruar ai.

Thaçi me porosi nga Haga për krizën politike në Kosovë: Pozita dhe opozita duhet të ulen në një tryezë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën e tij në Debat Plus me Ermal Pandurin, të fundit para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë.

Aktgjykimi në rastin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Intervista është realizuar me shkrim. Pyetjet (për situatën aktuale politike në Kosovë) i janë dërguar Thaçit më 9 mars 2026, ndërsa përgjigjet e tij janë finalizuar më 29 korrik, në orën 11:55.

Në kohën kur janë dërguar pyetjet drejt Hagës, në mars të këtij viti, Kosova tashmë ndodhej në një ngërç institucional, me krizën politike të lidhur edhe me zgjedhjen e presidentit dhe me vështirësitë për funksionalizimin e institucioneve.

Por, situata politike në Kosovë nuk ka marrë zgjidhje as disa muaj më vonë.

Tashmë jemi në gusht, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një situatë të ngjashme institucionale. Gjatë kësaj periudhe janë mbajtur edhe zgjedhje, por partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

Pikërisht në këtë kontekst, Thaçi në intervistën e tij në Debat Plus ka kërkuar që partitë politike, pavarësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, të ulen në një tryezë dhe të arrijnë pajtim për disa çështje strategjike.

Ai ka përmendur si prioritete sigurinë nacionale, reformat demokratike, reformën elektorale, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.

“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj”, ka thënë Thaçi.

Kjo është intervista e fundit e Thaçit para shpalljes së aktgjykimit, ndërsa më 16 shtator, në orën 10:00, pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.

Ndahet nga jeta laborantja Vezire Shabani Sejdiu

Ka ndërruar jetë Vezire Shabani Sejdiu, laborante në Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike në Ferizaj.

Lajmin e ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, i cili ka shprehur ngushëllime për familjen, të afërmit, miqtë dhe kolegët e saj.

Sipas IKSHPK-së, Shabani Sejdiu ishte pjesë e QRSHP-së në Ferizaj që nga viti 2009, duke kontribuar për 17 vjet në punën laboratorike dhe në ruajtjen e shëndetit publik.

“Ajo do të kujtohet nga kolegët dhe institucioni për kolegialitetin, përkushtimin në punë dhe profesionalizmin e saj”, thuhet në njoftim

IKSHPK dhe QRSHP Ferizaj kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të gjithë ata që e njohën.

“U prehtë në paqe”, përfundon njoftimi.

Haradinaj: Nëse dënohen ish-krerët e UÇK-së do të digjet krejt Shqiptaria, ata që do të festojnë do të digjen në atë zjarr

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj tha se beson se do të ketë “eskalim” të situatës në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut nëse Gjykata Speciale do t’i dënojë ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator.

Haradinaj tha në një lidhje direkte në Kosova Live në T7 se “jo Kosova, por krejt Shqiptaria ka me u kallë flakë”.

Ai tha se ka parë disa paralajmërime se disa në Kosovë do ta festonin një aktgjykim dënues.

“Anipse disa po mendojnë edhe me festu, por ata që do të festojnë ato ditë, besoj që do të kallen në qatë zjarr”, tha ai.

Haradinaj tha se “kemi individë që po thonë do të vijmë me festu nëse merret një aktvendim dënues”.

“Por unë po them, nëse merret ai vendim, do të rrotullohet… Unë mendoj që do të eskalojë çështja shumë keq dhe do të digjet flakë ky vend, do të digjet flakë Maqedonia, do të digjet flakë Shqiptaria”, tha ai.

Haradinaj tha se gjyqtarët e trupit gjykues në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit “nuk mund të marrin vendime të cilat e trazojnë një vend

Nexhmedin Spahiu premton njohjen nga Serbia nëse bëhet president

Spahiu ka thënë se nëse bëhet president ai do e sigurojë njohjen nga Serbia dhe nga 5 vendet e BE’së.

‘’Unë e thash, premtimi i parë me marrë njohjen nga Serbia që është kruciale, njohjen nga 5 vendet e BE’së. Për dikë kjo mund të duket e pamundur. Për shkak të eksperiencës time, dijeve të mija, njohjeve që kam me liderët politikë të rajonit pa qenë  president, pa qenë kryeministër, merre me mend me qenë president. Unë pa qenë president, kryeministër ose ministër, unë kam arrite që të jem i pranuar nga ministri i Jashtëm i Serbisë, i vendit që nuk e ka njoft Kosovën, që është armiqësor ndaj Kosovës, këtë ka arritur vetëm Fadil Vokrri, në fushën e vetë përkatëse, e ka arritur me fut Kosovën në UEFA dhe FIFA përndryshe, të kish vendos zoti me ia marr shpirtin Fadil Vokrrit nja 10 vjet përpara se ja ka marr, sot Kosova nuk ish kanë as në UEFA as në FIFA’’, ka thënë Spahiu i ftuar në Kosova Live në T7.