Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi e ka vizituar para disa dite Sadije Bajrajn, loken 108 vjeçare, që më gjasë është personi më i vjetër në Kosovë.
“Në fshatin e vogël, por me zemër të madhe, në Kaznikun e kujtimeve të mia të shumta, posaçërisht të atyre të luftës, i bëra një vizitë lokes 108-vjeçare, Sadije Bajrajt, e cila jeton e kënaqur dhe e rrethuar me nipa, me mbesa e me familjarë të tjerë. E lindur më 15 mars 1917 në Dejnë (bijë Hoti), lokja ende është mirë me shëndet, shumë e dashur e me plot vullnet për jetë dhe e etur për biseda. Kishte një kujtesë të fortë dhe fliste me gjallëri për jetën, për punën e madhe, për jetën e mundimshme e për vuajtjet e saj. Kosi, djathi, buka e misrit, gjellërat dhe ushqimet natyrale e kanë mbajtur dhe e mbajnë të shëndetshme”, ka shkruar Latifi, transmeton Ballkani.info.
Ajo që është interesante në këtë postim të Latifit, është fakti se lokja i konsumon në ditë dy kanaçe të pijes energjike Golden Eagle.
“Por, për dallim nga ajo që dëgjojmë çdo ditë në medie e rrjete sociale, lokja thotë që shëndeti i saj nuk do të ishte i plotë nëse nuk i pi 2 kanaçe në ditë me pijen energjike vendore, Golden Eagle.
U gëzua shumë për vizitën dhe u kënaqëm me të. E urova të ketë shëndet dhe të jetojë e gëzuar, kështu siç e pashë sot”, ka shkruar Latifi.