Haxhiu nga gërmimet në Zubin Potok: Ne po i kërkojmë të zhdukurit, Vuçiq vazhdon t’i mohojë krimet
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu e ka vizituar të enjten lokacionin në fshatin Kalludër i Vogël në Zubin Potok, ku po zhvillohen gërmime në kuadër të dyshimeve për një varrezë masive nga lufta e fundit në Kosovë.
Haxhiu ka thënë se mbetjet e gjetura në këtë zonë janë konfirmuar me prejardhje njerëzore, ndërsa ka kërkuar që të ruhet integriteti i hetimeve dhe të respektohen familjet e personave të zhdukur.
“Tash ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim. Ajo çfarë është e rëndësishme ta theksoj është që secili nga ne, institucionet e Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe mediat, duhet të kujdesemi që ta ruajmë integritetin e hetimeve, sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme, e po ashtu të kemi konsideratë për familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë terren”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka akuzuar udhëheqjen e shtetit të Serbisë për fshehje të krimeve të luftës, përfshirë edhe trupat e shqiptarëve të vrarë.
“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, pra gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra përkundër faktit që kanë kaluar mbi 24 vite nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorika shoviniste, me mohim të krimeve e po ashtu me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi, qoftë këtu nga Vuçiq, qoftë këtu nga Bërnabiq. Pra, nuk mund të ketë paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për sa kohë kemi varreza të fshehura, për sa kohë kemi arkiva të mbyllura dhe për sa kohë kemi mohim të së vërtetës nga ana e Serbisë. Në këtë rast bëj thirrje po ashtu nga partnerët ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i hapë arkivat”, ka thënë ajo.
Sipas dyshimeve të deritanishme, te zona ku do të bëhen gërmimet dyshohet se mund të gjendet një varrezë masive me trupat e civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës.
Rasti më i madh është ai i humbjes pa gjurmë të një grupi prej 23 burrash, që njihet si “Grupi I Intelektualëve”, shumica prej të cilëve nga Mitrovica.
Ata u ndaluan më 19 prill nga forcat serbe në këtë zonë derisa po largoheshin në Malin e Zi, dhe më nuk u gjet gjurmë e tyre.
