Rrugët e gurbetit kanë marrë shumë jetë të mërgimtarëve tanë vitet e fundit – disa në aksidente, e disa nga vdekja natyrale.
Sot në orën 10:00 të mëngjesit, ka ndërruar jetë një i moshuar 70-vjeçar në autobus, i cili udhëtonte nga Gjermania drejt vendlindjes me kompaninë “Euro Bus”, raporton gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch.
Mësohet se i ndjeri është nga Maqedonia e Veriut, dyshohet nga zona e Strugës. Ndihma e parë iu dha nga bashkatdhetarët, të cilët ishin ndalur në një parking pranë restorantit “A1 Express Restaurant” në Mihajllovac, mes Beogradit dhe Nishit.
Pas rreth 30 minutash në vendin e ngjarjes arritën edhe ndihma e parë dhe policia serbe, të cilët tentuan ta ndihmojnë, por për fat të keq ishte tepër vonë. Më pas, trupi i të ndjerit u dërgua në spitalin më të afërt.
Shkaqet e vdekjes ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por dyshohet se bëhet fjalë për shkaqe natyrore.