Njé grabitje e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në pikën e IPKO-s në Sheshin “Nëna Terezë”, ku një kasafortë me pajisje elektronike dhe para të gatshme u mor nga tre persona të maskuar. Por, përveç dëmit material, ajo që e bën rastin edhe më të rëndë është se grabitësit morën peng rojen e sigurimit, pjesëtarin e Besa Security, Milaim Krasniqi, derisa realizuan grabitjen.
Sipas burimeve të Sinjalit brenda kompanisë së sigurimit, të cilat janë në dijeni të deklaratës që Krasniqi ka dhënë më pas në Polici, ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit, teksa ai ndodhej jashtë objektit duke pirë cigare. Në atë moment, tre persona të veshur me të zeza dhe jelekë reflektues iu afruan dhe e kapën për qafe, duke e tërhequr zvarrë deri në kuzhinën e objektit.
“Më kapën nga pas për qafe dhe më tërhoqën zvarrë në brendësi të lokalit. Më mbajtën me kokën poshtë gjatë gjithë kohës, nuk më lejuan të shoh asgjë,” mësohet të ketë deklaruar roja.
Ndërkohë që ai mbahej peng, grabitësit depërtuan në zyrat e brendshme, ku lokalizuan dhe morën kasafortën e IPKO-s, për të cilën dyshohet se përmbante sasi të konsiderueshme parash, telefona të rinj dhe mbushje elektronike. Ata e kanë transportuar kasafortën përmes një karroce të vogël dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi, në drejtim ende të paidentifikuar.
Pasi autorët u larguan, roja ka kontaktuar shefin dhe më pas ka njoftuar Policinë. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Forenzikën dhe hetuesit. Ndërkohë, Prokuroria ka autorizuar që rasti të procedohet për hetim si “Grabitje”.
Policia ka arritur të identifikojë veturën e dyshimtë që u përdor në ikje dhe hetimet janë në zhvillim për kapjen e autorëve të këtij akti të rëndë kriminal, i cili ndodhi në një nga pikat më të frekuentuara dhe të ndjeshme të kryeqytetit.
Megjithatë, rasti mund të transferohet për hetim tek Krimet e Rënda, me saktësisht tek njësiti kundër grabitjeve, në mënyrë që të analizohen pamjet e siguruara, të bëhet krahasimi me grabitje të tilla në të kaluarën dhe po ashtu, të intervistohen sërish pjesëtari i sigurimit dhe zyrtarë tjerë që kanë informacion për lartësinë e dëmit dhe të dhënat për telefonat e grabitur.