Pas kritikës së Trump, zyrtari rus: Di vetëm një gjë që është shumë e keqe, Lufta e Tretë Botërore
Kremlini ka reaguar ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, pas deklaratës së tij drejtuar homologut të tij, Vladimir Putin, ku ai tha se po luan me zjarrin.
Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, Dmitry Medvedev, që është një nga njerëzit më të besuar të Vladimir Putin, komentoi duke thënë se “do të ishte shumë keq” nëse Lufta e Tretë Botërore shpërthente, në përgjigje të postimit të Trump.
Medvedev iu referua deklaratave të Trump për Putin, i cili kishte thënë se presidenti rus po “luan me zjarrin” dhe se “gjëra të këqija” do të kishin ndodhur në Rusi. Ai shtoi: “Unë di vetëm një gjë që është vërtetë shumë e keqe – Lufta e Tretë Botërore. Shpresoj që Trump ta kuptojë këtë!”
Trump kishte paralajmëruar se presidenti rus po “luan me zjarrin” në një postim të tij në platformën Truth Social. “Ajo që Vladimir Putin nuk e kupton është se nëse nuk do të ishte për mua, shumë gjëra të këqija do të kishin ndodhur tashmë në Rusi, dhe dua të them gjëra vërtetë të këqija,” shkroi Trump.

