Serbët protestojnë në Leposaviq
Para palestrës sportive në Leposaviq, të cilën organet komunale të Kosovës e morën dje nga organet paralele serbe nën juridiksionin e tyre dhe ndërruan bravën e derës hyrëse, sot është mbajtur një protestë.
Rreth orës 10:00, aty u mblodhën përfaqësues të klubeve sportive serbe, të cilët deri dje aty ushtronin me fëmijët.
Atyre iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë për të përkrahur protestën, transmeton Paparaci.
Një nga përfaqësuesit e klubit sportiv ka deklaruar: „Jemi këtu të tregojmë pakënaqësinë për mbylljen e palestrës dhe “mohimin e të drejtës” që fëmijët tanë të merren me sport“, raporton Kossev
Në protestë morën pjesë edhe fëmijët, prindërit e tyre dhe trajnerët.
Në afërsi të objektit, si dhe përpara tij, ndodheshin patrulla të Policisë së Kosovës.
Të tubuarit, në shenjë pakënaqësie, fishkëllenin dhe thërrisnin „Ua“.
Siç konfirmoi një nga të pranishmit për KoSSev, protesta sapo ka përfunduar. Megjithatë, para palestrës sportive kanë mbetur ish-punëtorët e organeve ilegale serbe.
