Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar javën e fundit të korrikut si kohën kur duhet bërë konstituimi i Kuvendit, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.
“Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet që ta kemi konstituimin e legjislaturës së re”, tha Albin Kurti pas një takimi që e pati sot me presidenten Vjosa Osmani.
Kurti tha se do të bëjmë “çmos” që “në frymën e bashkëpunimit” të arrihet kjo.
Ai tha se në takim u përmendën “të gjitha elementet përbërëse”. Pas takimeve që Osmani do t’i ketë edhe me liderët e partive tjera politike, ai tha se do të kuptohet “sa kemi bërë përparim”.
“I përmendëm të gjitha elementet përbërëse dhe tash zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e partive të tjera politike, e mbase në fund do të mund të shohim se a kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Unë besoj që duhet t’ua japim shansin edhe takimeve të tjera dhe në fund të shohim se cili është progresi për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”.
Situatën me ngërçin politik në Kuvend nuk e ka ndryshuar një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i shpallur të enjten pasdite, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.
Presidentja Vjosa Osmani po zhvillon takime me udhëheqësit e partive politike për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit. Ajo “pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, ka thënë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.