Shtesat për fëmijë mbeten skęma më e madhe sociale në Kosovë me 401,786 përfitues
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin qershor 2026, të cilat tregojnë se skema me numrin më të madh të përfituesve vazhdon të jetë ajo e shtesave për fëmijë, me gjithsej 401,786 përfitues.
Sipas raportit, gjatë muajit qershor janë shpërndarë dhjetëra milionë euro për pensione, ndihmë sociale dhe skema të tjera mbështetëse, ndërsa pjesën më të madhe të përfituesve e përbëjnë pensionistët dhe familjet që përfitojnë nga programet sociale.
Pensionet bazike të moshës vazhdojnë të jenë kategoria me numrin më të madh të pensionistëve, me 168,812 përfitues, për të cilët janë shpenzuar 26.96 milionë euro. Ndërkaq, 47,971 persona kanë përfituar pensione kontributpaguese të moshës, me një vlerë totale prej 11.73 milionë euro, ndërsa 11,108 pensionistë kanë marrë pensione parciale kontributpaguese në vlerë prej mbi 2.4 milionë euro.
Në kategorinë e pensioneve për persona me aftësi të kufizuara janë regjistruar 21,644 përfitues, me pagesa që arrijnë në 3.56 milionë euro. Gjithashtu, 3,634 persona kanë përfituar pensione paraplegjike dhe tetraplegjike, për të cilat janë ndarë rreth 1.45 milion euro
Raporti tregon se 39,561 veteranë të luftës kanë përfituar pagesa në vlerë prej 7.84 milionë euro, ndërsa 12,395 familje të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës kanë marrë mbi 3.77 milionë euro. Për pensionet familjare janë regjistruar 2,349 përfitues, ndërsa skema e kompensimit për punëtorët e arsimit të viteve 1990/91 deri më 1998/99 ka përfshirë 15,427 përfitues, me pagesa prej mbi 1.35 milion euro.
Nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 15,090 familje, për të cilat janë ndarë mbi 2.25 milionë euro. Ndërkohë, 4,258 familje kanë përfituar mbështetje financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara, me një fond prej 638,800 eurosh.
Sa i përket mbështetjes për lehonat, ASK bën të ditur se 2,080 lehona të punësuara kanë përfituar mbi 1.04 milion euro, ndërsa 6,669 lehona të papunësuara kanë marrë mbështetje financiare në vlerë prej 3.34 milionë euro. Vetëm për skemën e shtesave për fëmijë janë shpenzuar 14.55 milionë euro gjatë muajit qershor.
ASK vlerëson se struktura e përfituesve të skemave të mirëqenies sociale vazhdon të reflektojë fokusin në mbështetjen e të moshuarve, kategorive të dala nga lufta dhe familjeve në nevojë. Në këtë kuadër përfshihen edhe pensionet familjare, pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pensionet e Trepçës, programi i shtesave për fëmijë dhe skema të tjera specifike sociale. /Zëri
