Qindra mijëra njerëz janë mbledhur në Zagreb të shtunën për koncertin e rok-këngëtarit të njohur kroat, Marko Perkoviq Thompson, në atë që ishte paralajmëruar si koncerti më i madh ndonjëherë me pagesë.
“E, moj narode”, “Kletvu kralja Zvonimira” e “Bosnu” ishin disa prej këngëve që ai ka interpretuar.
Thompson në skenë ka dalë me një fanellë që mbante numrin “03941158”. E siç ka shkruar “Jutarnji” kjo s’është hera e parë që ai ka bartur këtë numër. Këtë numër ai ia dedikon Zvonko Bushiqit, të cilit ia ka kushtuar edhe këngën “Duh ratnika”. Bushiq ishte një prej njerëzve që kishin marrë peng aeroplanin me 76 pasagjerë në fluturimin New York – Chicago më 1976. Qëllimi i marrjes peng ishte për ta shpjeguar rastin e Kroacisë në Jugosllavinë e atëhershme dhe duke bërë thirrje për pavarësi duke luftuar hegjemoninë serbe. Më 1977, ai u dënua me burgim të përjetshëm. U fal pasi kaloi 32 vjet në burg. Si i burgosur, ka pasur numrin “03941158”.
Policia ka bërë të ditur se mbi 450 mijë bileta janë shitur për koncertin. I gjithë qyteti ka qenë i bllokuar, ndërsa mbi 6200 policë janë aktivizuar në çështjen e sigurisë.
Thompson, të cilit i janë ndaluar koncerte në disa shtete të Evropës, përfshirë Holandë, Zvicër e Bosnje, akuzohet se ka qëndrime mbështetëse për qeverinë ustashe të Luftës së Dytë Botërore në Kroaci, të mbështetur nga nazistët.
Këngëtari, që nofkën e ka marrë nga arma amerikane Thompson të cilën e ka përdorur në luftë gjatë të ’90-ave, ka refuzuar deklarimet se këngët e tij mbështesin nazizmin.
Ustashët akuzohen për vrasje të hebrenjve, serbëve e romëve në periudhën 1941-1945.
Thompson më herët ka thënë se këngët e tij përfaqësojnë dashurinë nga Zoti, familja, vendlindja dhe njerëzit.
Në rrugët e Zagrebit fansat drejt koncertit kanë shkuar me flamuj kroatë.
Koncerti është aq i madh sa që edhe autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje që shtetasit kosovarë të shmangin disa autostrada drejt Zagrebit dhe kanë bërë thirrje që diaspora të shmangë udhëtimet në këtë kohë drejt Zagrebit.