Një i burgosur serb, Đorđe Radomirović, i dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim për vrasje, tentim vrasje, posedim të armëve dhe narkotikëve, si dhe falsifikim dokumentesh, është arratisur nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë.
Në momentin e arratisjes, Radomirović ishte i kategorizuar si i avancuar dhe ishte duke punuar në hapësirat e punëtorisë së institucionit. Ai ishte edhe në listën e të dënuarve që potencialisht mund të përfitonin lirimin me kusht. Nga dënimi i plotë, atij i kishin mbetur vetëm 3 vjet e 7 muaj burgim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka konfirmuar arratisjen dhe ka pezulluar menjëherë nga detyra drejtorin e Qendrës së Paraburgimit, një mbikëqyrës të lartë dhe dy zyrtarë korrektues. Hetimet e brendshme janë në zhvillim për të sqaruar mënyrën e arratisjes dhe përgjegjësitë e mundshme.
Menjëherë pas konstatimit të mungesës së tij, janë aktivizuar të gjitha procedurat e brendshme dhe janë njoftuar institucionet relevante të sigurisë.
Shërbimi Korrektues ka theksuar se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të adresuar këtë rast, në përputhje me ligjin.
Në kërkim të të arratisurit janë angazhuar edhe njësitë e specializuara policore, përfshirë Njësinë me Qen (K9).
“Lusim qytetarët për mirëkuptim gjatë kohës sa jemi në operacion, dhe nëse hasin në personin në fjalë, të lajmërojnë menjëherë në numrin 192 apo në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftimin e Policisë.