Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, duke vazhduar narrativën propaganduese se në Kosovë po persekutohen serbët, tha se kryeministri Albin Kurti dha urdhër për t’i konfrontuar serbët menjëherë pas përfundimit të vizitës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Serbi.
“Është indikativë se Albin Kurti urdhëroi përballjen e fundit me serbët menjëherë pas përfundimit të vizitës dyditore në Serbi të presidentit francez Emmanuel Macron”, ka thënë ai, siç raporton KoSSev.
“Për përshkallëzimin e dhunës në Kosovë fajin e ka vetëm njëra palë – regjimi i Albin Kurtit dhe këtë e tregoi sërish sot. Serbët jetojnë nën terrorin e tij dhe kjo duhet të ndalet urgjentisht”, tha Vuçeviq.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, që kur regjimi i Albin Kurtit sulmon serbët me tuba të gjatë, ka pasur reagime të ndryshme përveç heshtjes dhe injorimit të dhunës dhe kriminalizimit të veriut të Kosovës nga Albin Kurti, ndoshta sot ata nuk do të shikonin fotot e kësaj dhune të tmerrshme”.
Vuçeviq vazhdoi propagandën se Kurti me këto veprime e ka synim “shfarosjen e serbëve”.
Ai pretendoi se Serbia “ka dërguar një mesazh të qartë se qëndron fuqishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, por thotë se vendi i tij “nuk do të lejojë dhunë dhe masakër kundër popullit të saj”.