“Infermieret duke pirë duhan në zhveshtoren e klinikës. Drejtoresha duke konsumuar duhan nga ‘stresi’” – janë disa nga arsyet që Inspektorati Shëndetësor ka identifikuar gjatë kontrolleve në institucionet shëndetësore në Kosovë, ku janë konstatuar shkelje serioze të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Në shumë raste, inspektorët kanë raportuar erë të duhanit dhe mbetje të tij në hapësirat e brendshme të spitaleve dhe QKMF-ve, përfshirë salla, kuzhina dhe zhveshtore të personelit. Insajderi sjell disa nga vendimet.
Mira Avdimetaj
Ministria e Shëndetësisë, përmes Inspektoratit Shëndetësor, ka shqiptuar dhjetëra gjoba ndaj personelit mjekësor për mosrespektim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Gazeta Insajderi, përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, ka siguruar vendimet e lëshuara gjatë vitit 2024, ku secila gjobë ka qenë në vlerë prej 500 euro.
Gjobat ndaj drejtuesve dhe stafit mjekësor
Doktor Lulzim Kamberi, drejtor në Klinikën e Kardiologjisë – Njësia Koronare në QKUK, është gjobitur me 500 euro për shkelje të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Sipas vendimit të datës 27 gusht 2024, gjatë inspektimit janë kontrolluar të gjitha hapësirat publike dhe të punës. Në një nga dhomat që shfrytëzohej si kuzhinë, është ndier erë duhani, ndërsa në koshin e mbeturinave janë gjetur mbetje të cigareve.

Në një rast tjetër, Bahri Gjyshinca, shef i repartit në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, është gjobitur po ashtu me 500 euro. Në vendimin e datës 26 gusht 2024 thuhet se inspektorët kanë gjetur mbetje duhani në hapësirat e punës, si dhe një infermiere është hasur duke pirë duhan në zhveshtoren e klinikës.

Ligji është shkelur edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Istog. Drejtori Mujë Osmani është ndëshkuar me 500 euro më 15 gusht 2024, pasi inspektorët kanë konstatuar praninë e mbetjeve të duhanit dhe aromë duhani në ambientet e brendshme të institucionit.

Një rast interesant është raportuar edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës. Laura Nushi, drejtoreshë e këtij spitali, është dënuar me 500 euro më 30 prill 2024, pasi është raportuar se ka konsumuar duhan brenda ambienteve të spitalit.

Sipas raportit zyrtar, Nushi ka mohuar se e konsumon duhanin, duke thënë para inspektorëve se atë ditë kishte qenë nën stres të madh për shkak të largimit nga puna të një punonjësi.
