Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka njoftuar se është kërcënuar me jetë dy herë brenda tre muajve të fundit.
Siç tregoi në profilin e tij, kërcënimi i është bërë nga një person me emrin Stefan Markov i cili paraqitet të jetë “oficer i MUP-it të Serbisë i angazhuar në Kosovë”,
“Izmir Zeqiri, fryje nënën shqiptare ta q****, të pret plumbi në mes të ballit. Këtu jemi, ju presim juve b***lëpirës të KFOR-it dhe NATO-s. Do të marrësh plumbin, edhe pak, kush të ftoi në festimin e maturës, o bandë terroriste okupatore, e kam mbajtur mirë në mend turirin tënd”, janë mesazhet që ka pranuar kryetari.
Postimi i plotë i kryetarit të Zubin Potokut
Ky i fundit ka treguar për Gazetën Sinjali se tashmë me rastin po merret Policia.
“Kjo është hera e dytë që unë jam kërcënuar nga ky profil. Një herë në maj, por atë kohë s’e kam bërë publike shkaku i hetimeve. Tash edhe me rastin e dytë po merret Policia”, ka thënë Zeqiri për Gazetën Sinjali.
Ai tutje ka treguar se herën e parë kërcënimi i ka ardhur nga jashtë Kosovës, ndërsa për këtë herë nuk e di.
Pavarësisht kësaj, Zeqiri ka treguar se nuk ndihet i frikësuar duke thënë “këtu jam dhe do të jem dem baba dem”.