8 C
Pristina
E mërkurë, 1 Tetor, 2025

Covey për Thaçin: Nuk ishte luftëtar, s’ka të dhëna që ka shkrepur ndonjë plumb nga zemërimi

Gjatë dëshmisë në Hagë, James Peter Covey duke folur për Hashim Thaçin tha se në gjykimin e tij ai nuk ka qenë një luftëtar dhe se nuk ka asnjë të dhënë që ai mund ta ketë shkrepur ndonjë plumb nga zemërimi.

Përpara kësaj, Covey tha se gjithmonë sa herë shkohet në një mision të ri, përballesh me pretendime për të zmadhuar një rol të njërit apo tjetrit.

Ai tha se është detyra e tyre si diplomatë për të kuptuar se kush e kishte autoritetin dhe influencën më të madhe.

Covey theksoi se në misionet e tyre janë ballafaquar me një numër kontraditash dhe si rrjedhojë foli edhe për rolin e Thaçit.

“Është një person që kishte përfunduar në mënyrë automatike në rolin e një Qeverie të Përkohshme, e që sa i përket mandatit të UNMIK-ut nuk kishte më vlerë. Në atë kohë ka qenë shumë i papërvojë në politikën e sigurimit të votës nga votuesit. Nuk ka patur përvojë ekzekutive dhe i cili shpeshherë ka përdorur retorikë të ashpër të cilën e kontestonte me mënyrën e butë të të folurit”, tha ai.

Po ashtu, dëshmitari theksoi që kanë vlerësuar se Thaçi po përpiqej që ta gjente rolin e duhur dhe se kishte ambicie të mëdha.

“Ne që në fillim kemi vlerësuar se ai po përpiqej që të gjente rolin e duhur. Kishte ambicie të mëdha. Ishte shumë e qartë që ishte shumë i zgjuar, por nuk kishte përvojë për këto çështje dhe po përpiqej që të orientohej në gjetjen e një roli për të siguruar ambiciet e tij…Gjykimi ynë ishte krejt i qartë që ky person që ndodhej pranë nesh nuk ishte luftëtar dhe nuk besoj që ka ndonjë të dhënë që ky njeri ka gjuajtur ndonjëherë ndonjë plumb si rezultat i mërzisë apo zemërimit”, u shpreh Covey, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Covey tha tutje se ka vlerësuar që ky person, duke iu referuar Thaçit, nuk ishte një luftëtar dhe nuk ka gëzuar respekt nga ana e atyre që kanë luftuar në terren dhe kanë humbur shokë të tyre.

“Prandaj edhe nuk ndjehem rehat kur më paraqiten një numër dokumentesh që nuk paraqesin personin që nuk e kemi gjetur ne. Nuk parashikojnë procesin që kishim ndërmarrë ne”, tha ai.

Ndërkaq, duke folur për Sami Lushtakun, dëshmitari tha se nuk ka mundur Thaçi ta ndëshkojë atë dhe se nuk e di se kush mund ta kishte bërë një gjë të tillë.

Në anën tjetër, lidhur me krimet që pretendohet se kanë kryer nga UÇK-ja, dëshmitari tha se Hashim Thaçi dhe Agim Çeku e kishin të vështirë t’i ndalonin ato veprime.

“Çeku respektohej sigurisht, për disa çështje ka pas influencë të madhe. Mendimi ynë në atë kohë ishte që ishin disa njerëz me të cilët nuk bëhej dot shaka, njerëz që ndiqnin interesat e tyre. Disa prej tyre ishin si të thush “gangsterë” të një lloji apo një lloji tjetër nga mënyra siç e shihnim ne. Ishte e vështirë për ata që ta ndalonin atë veprimtari”, tha Covey.

Kurse, për Thaçin tha se vlerësimi i tyre ishte se nuk kishte kontroll.

Me kaq përfundoi seanca e sotme, për të vazhduar sërish nesër me pyetjet shtesë të avokatit Luka Mishetiq.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here