Derisa qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike dhe produkteve esenciale ushqimore, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili ka vendosur të shpërblejë veten dhe punëtorët e BQK-së me rritje të pagës.
Guvernatori i ka rritur vetes pagën nga 4300 euro në 4792 euro në muaj.
Zyra për media e këtij institucioni, në një përgjigje për VOX Kosova, e ka arsyetuar vendimin me një “përshtatje të modelit” dhe një indeksim për të reflektuar pjesërisht inflacionin.
“Në nivel të metodologjisë dhe skemës së pagave të BQK-së është aplikuar një ndryshim që ka ndikuar të gjitha nivelet e stafit, përfshirë edhe pagat e organeve drejtuese. Për Guvernatorin, kjo nënkupton një indeksim prej 9%, që në vlerë bruto përkthehet në 492.5 euro”, thuhet në përgjigje, ku gjithashtu potencohet se kjo rritje “kompenson vetëm pjesërisht fuqinë blerëse të mëparshme”.
Por kjo nuk është hera e parë që drejtues të BQK-së i rrisin vetes përfitimet.
Tre vite më parë, dy anëtarë të Bordit të emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje – Bashkim Nurboja dhe Nora Latifi-Jashari votuan për të rritur kompensimin e tyre në cilësinë e anëtarëve të Komitetit për Auditim nga 500 në 750 euro.
Sipas burimeve brenda BQK-së të VOX-it, rritja e pagave nuk ka qenë uniforme, ajo ka ardhur pas një kategorizimi të brendshëm të departamenteve.
Në disa prej tyre, pagat janë rritur deri në 20-25% në emër të “rrezikut të lartë në punë”, ndërsa në të tjera rritja varion nga 8% deri në 15%. Ndërkohë, koeficienti i pagës bazë është rritur në 188 euro.
Kështu, një zyrtari të lartë i është rritur paga nga 1128 në 1316 euro, ndërsa një drejtori nga 1692 në 1880 euro. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi brenda institucionit, pasi shumë punëtorë e konsiderojnë këtë vendim si të padrejtë dhe të pabarabartë.
Rritja e pagave nuk ka qenë e vetmja. Sipas informatave të siguruara nga VOX Kosova, menaxhmenti i BQK-së ka vendosur të rrisë edhe kompensimet për udhëtime dhe pjesëmarrje në grupet punuese.
Pas këtij vendimi, mbledhjet e këtyre grupeve janë bërë dukshëm më të shpeshta me pjesëmarrës që, sipas burimeve, kanë lidhje të ngushta me drejtuesit e institucionit.
Kjo ndodh në një kohë kur sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) ka shënuar një rritje prej 4.5% në gusht 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe është vërejtur te energjia elektrike, shërbimet turistike dhe produktet bazë ushqimore si mishi, perimet, pemët, djathi, qumështi dhe vezët.
Një anketë e realizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), gjatë muajve maj-korrik 2025, zbulon se 45% e qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë koston e jetesës dhe çmimet e larta si problemin më të madh, një rritje e ndjeshme krahasuar me 28% që ishte një vit më parë.