Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri e ka kritikuar qeverinë në detyrë për ndarjen e 100 eurove për studentë në kohë fushate elektorale.
Ymeri, i cili udhëheq Institutin Musine Kokalari që promovon vlera sociale dhe demokratike, tha se ndihma financiare ndaj studentëve, pensionistëve dhe grupeve të tjera shoqërore, “në parim do të kishte qenë e mirë”.
“Në fund të fundit këtë do të duhej ta bënte një qeveri social demokrate”, tha Ymeri.
Mirëpo, sipas tij, politikat rishpërndarëse “duhet të jenë të mirëmenduara, transparente, të parashikueshme e në përputhje me parimet e drejtësisë sociale”.
“Kur këto ndihma vijnë në prag të zgjedhjeve (në këtë rast lokale) ato e humb kuptimin. Çka do të duhej të trajtohej si e drejtë e qytetarëve shndërrohet në favor nga politikani (në këtë rast Albin Kurti)”, tha Ymeri.
Ai e quajti këtë vendim të qeverisë “veç marketing politik”.