Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar Policinë e Kosovës në 25 vjetorin e themelimit.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se policia e Kosovës në vend të mbështetjes, ka presion politik nga qeveria.
Ai kujtoi kohën kur Lëvizja Vetëvendosje sulmonte policinë me gurë, duke shtuar se “Kurti mund të mbajë fjalim prekës për përvjetor por prapa fjalëve vetëm mashtrimin ka qëllim”.
“Kur më 6 shtator 1999 u themelua Policia jonë, filloi shtet-ndërtimi në fushën e sigurisë. Nesër bëhen 25 vjet. E uroj Policinë në 25-vjetorin e themelimit! Do të kujtojmë përgjithmonë policët e rënë në detyrë.
Kemi shumë punë për ta forcuar dinjitetin, kushtet dhe pajisjet e Policisë sonë.
Prioritet do të jetë paga minimale prej 1.000 euro brenda Policisë dhe sigurimi shëndetësor. Modernizimi i pajisjeve të Policisë do të bëhet gjithashtu.
Policia sot nuk e ka kujdesin e Qeverisë, por e ka presionin politik mbi të! Kurti edhe i sulmoi me gurë sa ishte në opozitë, edhe po e instrumentalizon Policinë për interesa elektorale sa është në Qeveri. Ai nesër në 25-vjetorin e Policisë mund t’ju mbajë një fjalim prekës, por prapa fjalëve vetëm mashtrimin ka qëllim.
Për pak javë kjo do të përfundojë.
Policia është e Kosovës. Qëndroni të tillë. Mos u bëni instrument në duar të pasigurta!.” – ka shkruar Haradinaj.