Partia Demokratike e Kosovës pritet të përballet me një krizë në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. Anëtari i kësaj partie, Ramiz Lladrovci thuhet se është në prag të formimit të një partie të re politike për zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen brenda këtij viti.
Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit, tashmë duket se i ka ndarë rrugët përfundimisht me partinë e tij, PDK.
Siç raporton ‘Nacionale’, Lladrovci ka nisur punën për krijimin e një subjekti të ri politik.
Ai pritet të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me listën e tij të re, ku thuhet se janë të përfshirë emra të njohur të skenës politike dhe ushtarake.
Sipas raportimit, Lladrovci ka kërkuar me ngulm dorëheqjen e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, në mënyrë që ai “të bashkohet” edhe njëherë me PDK-në.
Lladrovci thuhet se ka premtuar se në rast të dorëheqjes së Krasniqit, emrat e listës së tij do t’i bashkohen PDK-së.
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës kishte propozuar Petrit Hajdarin për kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit, duke ngjallur pakënaqësi te Lladrovci që për dy mandate kishte drejtuar atë komunë.
Në garë me kandidatin e PDK-së, Lladrovci kishte dalë triumfues qysh në raundin e parë zgjedhor me listën e tij “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”.
Nga fitorja e 12 tetorit, Lladrovci kishte paralajmëruar vazhdimisht Partinë Demokratike për “pasojat” e mos kandidatimit të tij në Drenas.
Së fundmi në profilin e tij, Lladrovci kishte shkruar se “Drenasi do t’ju dalë kapuç me mangë”.




