LDK-ja s’ka votë për Konjufcën: Le të thonë fjalën e tyre qytetarët në zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas propozimit të Glauk Konjufcës për mandatar të dytë për formimin e qeverisë, duke theksuar se tashmë është e qartë se asnjë subjekt politik nuk e ka shumicën e nevojshme parlamentare.

Sipas LDK-së, zvarritjet dhe interpretimet procedurale vetëm po thellojnë bllokadën institucionale, ndaj e vetmja zgjidhje legjitime janë zgjedhjet e reja.

Asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën parlamentare për formimin e qeverisë së re. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese, por përmes kthimit te sovrani. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri,” ka theksuar LDK-ja.

Partia thotë se vendit i duhet qartësi dhe legjitimitet i ri politik, jo “zvarritje, pazare dhe improvizime”, duke bërë thirrje për veprim të shpejtë dhe në përputhje me Kushtetutën.

LDK ka rikujtuar përkushtimin e saj ndaj rendit kushtetues dhe procesit demokratik, duke theksuar se qytetarët duhet të jenë ata që vendosin për qeverinë e ardhshme.