Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, i ka reaguar Presidentes Vjosa Osmani, e cila se tha se e ka mandatuar Glauk Konjufcën për ta formuar Qeverinë e re, meqë është bindur se i ka gjasat për ta formuar shumicën e nevojshme.
Hoti ka thënë se Osmani e ka marrë përgjigjen nga partitë se nuk ka gjasa që deputetët e tyre të votojnë asnjë mandatar tjetër, duke shtuar se gjasat mund të ekzistojnë vetëm nëse llogaritet në votat e deputetëve të Listës Serbe, shkruan Reporteri.net.
“E para e shtetit vendimin për mandatarin e ka bazuar në ‘gjasa’. Por, nga takimet me kryetarët e partive politike e ka marrë përgjigjen se nuk ka ‘gjasa’ që deputetët e atyre partive të votojnë asnjë mandatar tjetër. Kështu që, gjasat mund të ekzistojnë vetëm nëse llogaritet në votat e deputetëve të Listës Serbe. Gjasa të tjera nuk ka”, ka shkruar Hoti.
Osmani tha se VV dhe Konjufca kanë besim të plotë se mund t’i arrijnë 61 vota, teksa tha se edhe ajo është bindur se i kanë gjasat për formimin e Qeverisë, shkruan Reporteri.net.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe z.Konjufca me të cilin sapo e përfundova takimin, kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre, ju takon atyre ti bëjnë votat, mua më takon të bindem se kanë gjasa. Mua më kanë bindur që kanë gjasa, ashtu siç kërkohet nga aktgjykimi i Kushtetuetes”, tha Osmani.




