Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në zgjedhjet parlamentare përdorte për simbolikë gërshërët si metaforë populiste për të treguar se si kishte “prerë” mundësitë që kinse të fitohej nga terminalet doganore. Tash për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ka zgjedhur një metaforë të re për të “impresionuar” mbështetësit e tij – thesin dhe gjilpërën.
Kurti përgjatë një fjalimi në Mitrovicën e Jugut, komunë kjo të cilën po e viziton gati se çdo ditë meqë kandidati i tij Faton Peci do të ballafaqohet në balotazh me Arian Tahirin, është dëgjuar duke e përmendur këtë metaforë.
Në fjalimin e tij, ai pretendon se kinse kanë “qepur” një thes të shkyer, duke aluduar në buxhetin e shtetit. Thotë se ka dëgjuar piskama, duke iu referuar ish-partive opozitare, kur ka qepur thesin sepse “kanë pasur duart aty”.
“Sepse Kosova gjatë qeverisjes sonë, ka qenë si një thes i shkyer, ku gjuajshin sende po rrjedhshin dilshin jashtë, se ka qenë i shkyer edhe thojshin pse s’po qitni ju, vazhdoni me qit në thes. Po nuk mundeni me qitë sene në thes, pa e qep një herë thesin. Thesi duhet me u qepë më së pari, edhe mandej ia nis e trashet thesi sepse sendet që bijnë në thes, rrijnë në thes e jo me dal me i marrë dikush prej thesi. E ajo gjilpëra që e ka qepë thesin, e ka mundësuar rritjen, por të dashur qytetarë, kur e kemi qepë thesin, nuk e kemi ditë, por nuk e kemi qep thesin janë ndi do piskama, se disa i kishin pas duart qaty ku është shkyer thesi. Na nuk kena desht me ja u shpërthy, me ja u shpu atyre gishtat e duarve me gjilpërë, na kem desht veç me qep thesin, po ku e dijshim na që ju qëllojnë duart atyre“, deklaron Kurti në një video të shpërndarë edhe nga faqja zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje.
Thuajse të njëjtin fjalim, me artikulim aty-këtu më ndryshe, për metaforën populiste të thesit dhe gjilpërës e ka mbajtur edhe në Komunën e Obiliqit, ku në balotazh është kandidati i tij, Halil Thaçi kundër Xhafer Gashit.
“Secili prej juve e din prej shpisë t’juj që në një thes, i cili është i shkym, badihava gjun sende në të, se rrjedh. Është e domosdoshme një herë me e qep thesin, që çkado që të qitsh në thes, mbet në thes, jo me dalë jashtë thesi. E tash, neve na duhet me pranu që kur e kena marrë gjilpanën me qepë thesin, u nin do piskama, i kish pas durt dikush aty. Kështu që, kur ti nini këta tu piskatë kundër meje, kundër Halilit e kundër zyrtarëve të tjerë të VV-së dijeni që janë qasi që pa qëllim ja u kena shpu durt me gjilpanë se i kanë pas aty te vrima e shkyer e thesit që na e kena qep”, deklaron Kurti.
Para zgjedhjeve lokale, në zgjedhjet parlamentare Kurti përdorte metaforën populiste të gërshërës, duke aluaduar në “prerjen” e mundësive për përfitimet nga terminalet doganore.
Për shkak të gjuhës që përdorte kundër kandidatëve të tij, Kurti ishte dënuar disa herë nga PZAP’ja.




