Nga takimi Rugova-Millosheviq te Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së: Ja çfarë dëshmoi Hill

Christopher Hill, ish-diplomati amerikan që shërbeu në Kosovë në vitet e luftës, 1998-1999, po vazhdon dëshminë e tij në Hagë në kuadër të dëshmitarëve të mbrojtjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi.

Ai ka rrëfyer një takim në Likoc, ku ishte gjendja shumë e rëndë por ideja ishte që të takonte ‘strukturat e UÇK-se me të cilët do të duhej të diskutonte rreth negociatave për projekto planin e Grupit të Kontaktit.

“Unë isha i interesuar që të kisha persona pjesëmarrës në negociata. Na kishin gjuajtur me armë. Ne ndërmorrëm një rrezik për të takuar një person që na thanë se do flasë në emrin e tyre. Ndonjëherë është frustruese kur mendon se pala tjetër s’po bën të pamundurën. Kishte frustrim për shkak se kishte monpolin LDK. Ishte një qeveri që personat në LDK mendonin se nuk po përfaqësonin tamam pikëpamjet e tyre. Këta persona donin ta zgjeronin qeverinë, për mua ishte e rëndësishme të gjenim persona që mund të negocionim për project dokumentin. Problematika e vërtetë ishte të kishim një ekip negociues që do të përfaqësonin të gjitha pikat në project dokument” – tha Hill në dëshminë e tij.

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, sipas Hill
“Nuk e besoja që kishte (Shtab të Përgjithshëm, v.k)” – thotë Hill në dëshminë e tij dhe shton se më shumë ‘kishte përpjekje nga UÇK-ja që të krijonin përshtypjen se po bëheshin një ushtri me struktura normale’.

“Më shumë ishin përpjekje për të treguar që ekzistonte një ushtri në mënyrën tradicionale, me hierarkinë vertikale. Ishte një orvatje për të na treguar që kemi struktura politike ushtarake dhe që duhet t’i merrnim seriozisht.

Sidoqoftë, nuk morëm asgjë prej tyre. Ishte shkurajuese por më duhet të shtoj dicka që unë pikëpamjet e mia ua bëra të qarta disa persona lidhur me këtë aspekt. Ju thash se kam frikë se po kërkojmë dicka që nuk ekziston” – thotë Hill.

Hill: Gelbard e quajti UÇK-në “terroriste”, u duk sikur dha dritë jeshile për sulmin në familjen Jashari
Hill tha se ambasadorit Gelbard, e kishte quajtur UÇK-në organizatë “terroriste”.

Sipas Hill, kishte diskutime se kjo deklaratë e kishte cytur sulmin e Serbisë në familjen Jashari.

“Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte organizatë terroriste, dhe kishte fjalë se kjo e kishte shpejtuar këtë ngjarje, pra sulmin në familjen Jashari. Gelbard sikurse kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Besoj se nuk ka provë për një gjë të tillë, por ajo është diskutuar, nëse i dërguari amerikan e quan UÇK-në terroriste, jep sinjal serbëve të lëvizin kundër tyre. Gelbard më pas mori qëndrim shumë më të ashpër ndaj serbëve, pasi ndodha ngjarja në Prekaz, dhe përfshiu bisedë të ashpër me Millosheviqin, me pasojën që Millosheviqi deklaroi se ai nuk donte të takohej më me z.Gelbard. Gjithë çështja në maj filloi me fjalimin apo komentet e Gelbard nga përvojat e mëhershme”, tha Hill, raporton Nacionale.

Hill: Takimi me Millosheviqin e dëmtoi Rugovën, kundërshtimi ndaj tij po rritej
Christopher Hill ka folur për takimin e Ibrahim Rugovës me Sllobodan Millosheviq.

Hill tha se ai takim e dëmtoi Rugovën.

“Mendoj se është e drejtë të themi se kjo ishte çështje analize e mendimi, për të cilën unë mund të flas. E dëmtoi Rugovën, nuk mendoj se kishte mendim të fuqishëm në Kosovë për takimin me Millosheviqin. Njerëzit nuk mendonin se takimi mund të ndihmonte. Ai ishte i shqetësuar nëse ishte ide e mirë, por nuk donte të gjendej në situatën ku refuzonte një sygjerim të tillë nga Hoolbroke. Rugova ishte udhëheqësi joformal i Kosovës, dhe kundërshtimi ndaj tij po rritej, sepse kishte përshtypje që nuk po arrinte progres”, tha Hill.