Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri ka propozuar shmangien nga balotazhi si reformë zgjedhore.
Tahiri thotë se procesi i zgjedhjeve lokale të vitit 2025 tregon qartë se ka mësime që Kosova nuk po i mëson.
Sipas tij, balotazhi nuk i shërben askujt.
Sipas tij, as dalja në zgjedhje nuk është reale nëse krahasohet me të dhënat e regjistrimit të popullsisë.
“Kjo, përveç efektit në vlerësimin e legjitimitetit, po pengon edhe funksionimin e mekanizmave të demokracisë së drejtpërdrejtë”, shton ish-deputeti.
Në vend të balotazhit, Tahiri propozon sistemin preferencial që sipas tij, pasqyron më mirë vullnetin e qytetarëve.
Probleme sipas ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, në vazhdimësi po nxjerrin edhe listat e kandidatëve për Kuvendet Komunale.
“E katërta: Lista e kandidatëve për kuvendet komunale, nga bartësi e deri te kufizimi “një person, një votë”, nuk i përgjigjet më sistemit aktual. Bartësi, si rezultat që po shkakton probleme, po duplifikohet nga kandidati për kryetar, ndërsa modeli me një listë po çon në ndryshime radikale, por jo domosdoshmërisht në rritje të cilësisë”, sqaron Tahiri.
Ai thotë se edhe edukimi i votuesve mbetet problematik, për shkak të votave të pavlefshme.
“Kjo e fundit domosdoshmërisht reflekton edhe në nevojën për debat serioz mbi çdo propozim për sistem të ri, si ai preferencial apo çdo formë tjetër reformimi zgjedhor”, përfundon ish-deputeti Tahiri.




