KQZ nis rinumërimin e votave të 41 vendvotimeve në Drenas

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, të martën, do të nisë procesi i rinumërimit të votave të 41 vendvotimeve në Komunën e Drenasit (Gllogocit), me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas njoftimit zyrtar, rinumërimi do të fillojë në orën 14:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Prishtinë. Vendvotimet që do t’i nënshtrohen rinumërimit i përkasin zgjedhjeve për Kuvendin komunal të Drenasit, ku PZAP-ja ka kërkuar rishikim të procesit për të garantuar transparencë dhe saktësi të plotë në numërim.

Në njoftim thuhet se KQZ-ja po e ndjek me kujdes procesin dhe do të vazhdojë të informojë publikun në mënyrë të rregullt dhe transparente për çdo zhvillim të ri.

Ndërkohë, deri në orën 13:00 të ditës së sotme, janë përmbyllur verifikimet e rezultateve në 15 qendra komunale të numërimit, ndërsa procesi po vazhdon në dy komuna të tjera. Në Mitrovicën e Jugut, procesi nuk është duke vazhduar për arsye që tashmë janë bërë të njohura nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Lista e vendvotimeve që do të rinumërohen përfshin numrat: 0324/01, 0325/01, 0322/01, 0320/01, 0318/02, 0317/04, 0317/03, 0316/02, 0312/02, 0310/03, 0310/02, 0304/01, 0321/01, 0324/03, 0327/01, 0315/02, 0316/01, 0308/01, 0320/02, 0306/01, 0301/05, 0301/04, 0328/02, 0326/03, 0311/03, 0340/03, 0311/05, 0310/01, 0323/03, 0322/0, 0323/02, 0311/01, 0330/01, 0324/02, 0317/01, 0317/02, 0324/02, 0309/01, 0309/02, 0310/05 dhe 0313/01.

KQZ-ja thekson se ky proces do të zhvillohet nën mbikëqyrje të plotë dhe sipas standardeve ligjore, për të siguruar një rezultat përfundimtar të saktë për Drenasin.