Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se një familje që po udhëtonte drejt Gjermanisë, është kthyer prapa me forcë, pasi ka kaluar përmes Bërnjakut.
Dhjetëra serbë janë mbledhur nga ora 18:00 për të barrikaduar kufijtë që janë me Republikën e Kosovës, në shenjë proteste për aksionin e javës së kaluar që çoi në mbylljen e pesë objekteve që funksionin ilegalisht si komuna paralele serbe, raporton Indeksonline.
Ministri Sveçla ka thënë se kjo gjë është duke ndodhur përpara syve të policisë së Serbisë, gjë që e bën edhe shtetin serb bashkëfajtor.
“Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne” shkroi Sveçla.
Ministri shtoi se deri në stabilizim dhe qarkullim normal, të papengueshëm e të sigurtë, pika kufitare në Bërnjak do të jetë e mbyllur për qarkullim.
Ky është postimi i plotë i tij:
Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.
Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne.
Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të papengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim.