“Kur ke guxu me shku në veri para Kurtit?”, Gashi u përgjigjet militantëve të VV-së me fotografi nga veriu

Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi të shtunën gjatë ditës ka publikuar një vështrim që e ka quajtur e vërteta për veriun – pa mite, pa manipulime por me fakte dhe përgjegjësi.

Në këtë shkrim të gjatë, Gashi ka shkruar se pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, veriu u bllokua tërësisht.

Mirëpo militantë të shumtë të pushtetit kanë filluar t’i komentojnë në postim, duke e pyetur se kur kishte guxuar të shkonte në veri para se Albin Kurti të vinte në pushtet.

Gashi u është kundërpërgjigjur duke publikuar fotografi gjatë një vizite në veri. Aty shihet edhe Faton Peci, dikur anëtar i LDK-së.

“Në postimin tim të sotëm për këndvështrimin tim mbi Veriun, shumë komentues, me llogari të vërteta e të rreme, përsëritën të njëjtën pyetje: “Kur ke guxuar me shku në Veri para se të vinte Albin Kurti në qeveri?””, ka thënë Gashi.

“Po ju përgjigjem hapur: ja ku jam, bashkë me kolegun tim të LDK-së në atë kohë, sot kryetar i zgjedhur i Mitrovicës. Në vitin 2017 kaluam urën, ecëm mespërmes sheshit Car Llazar (nëse nuk gaboj), shkuam deri në fund të sheshit, u kthyem djathtas, dolëm në lagjen e Boshnjakëve dhe u kthyem në jug, pa polici, pa përcjellje, pa kamera, pa reklama”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se historia nuk fillon me një qeveri dhe nuk mbaron me një lider.

“Kjo nuk e mohon në asnjë mënyrë që gjendja sot është radikalisht më e mirë në Veri. Përkundrazi: e vërteta nuk ka pse të frikohet nga faktet. Dhe faktet tregojnë se çdo përmirësim është i mirëseardhur, por historia nuk fillon me një qeveri dhe nuk mbaron me një lider”, ka thënë Gashi.