Import rekord, mirazh subvencionesh: Paralajmërohet tjetër rritje e çmimit të energjisë elektrike

Kosova po përballet me një krizë energjetike në përshkallëzim, teksa sërish po paralajmërohet rritje e pashmangshme e çmimit të rrymës në vitin 2025, e nxitur nga importet rekord dhe performanca e dobët e prodhimit vendor. Në dritën e këtyre zhvillimeve, nga partitë ish-opozitare akuzojnë ish-Qeverinë Kurti për keqmenaxhim sistematik dhe se subvencionimi real po përfundon në “xhepat e tregtarëve të energjisë.”

Eksperti financiar, Kushtrim Ajvazi, paralajmëroi për rritje të re dhe thuajse të pashmangshme të çmimit të energjisë elektrike. Ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2024, kostoja e importit të energjisë ka tejkaluar të hyrat maksimale të lejuara me 47.8 milionë euro.