Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se nga nesër do të nisë ekzekutimi i shtesave të rritura për fëmijë, një vendim që pritet të përfitojë rreth 400 mijë fëmijë në mbarë vendin. Lajmin e ka bërë publik kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar këtë ditë si të veçantë për të gjitha nënat dhe familjet që përfitojnë nga skema.
Sipas rritjes së miratuar, shtesat mujore për fëmijë janë rritur me 50%, duke sjellë ndryshime të dukshme në shumën që marrin familjet. Kryeministri ka dhënë edhe disa shembuj konkretë:
- Familjet me dy fëmijë: nga 40 euro → 60 euro
- Familjet me tre fëmijë: nga 90 euro → 135 euro
- Familjet me katër fëmijë: nga 120 euro → 180 euro
Rritja do të reflektohet menjëherë në pagesat e muajit të ardhshëm, ndërsa qeveria vlerëson se ky hap do të lehtësojë ndjeshëm buxhetin familjar dhe do të ofrojë mbështetje më të madhe për rritjen dhe mirëqenien e fëmijëve.
“Urime të gjithë fëmijëve! T’i gëzoni me shëndet!” – ka përfunduar mesazhin e tij kryeministri Kurti, raporton Gazeta Imazhi.
