Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa(Remi), e ka kritikuar sjelljen e Albin Kurtit.
Ai ka bërë me dije se Kosovës nuk i duhet qeveri që jeton prej tensioneve, përçarjeve dhe krizave të fabrikuara.
Në profilin e tij në “Facebook”, Mustafa ka shkruar se Kosovës i duhet normalitet.
“Ka politikanë që dinë të mbijetojnë vetëm në kaos. Ata krijojnë krizë, pastaj shfaqen si “zgjidhja”. E detyrojnë qytetarin të kërkojë stabilitet, ndërsa vetë e përdorin rrëmujën si oksigjen politik. Por vendi ynë s’ka nevojë për qeveri që shpëton vetën ka nevojë për qeveri që punon për qytetarin. Ka ardhur momenti me ia ndalë hovin kësaj klase politike që e mban Kosovën pezull. S’na duhet më qeveri që jeton prej tensioneve, prej përçarjeve, prej krizave të fabrikuara. Na duhet normalitet”, ka shkruar ai, duke treguar se cfarë qeveria i duhet Kosovës.
“Na duhet qeveri normale, që punon normalisht, për një vend normal. Qeveri që fokusohet te zhvillimi, ekonomia, investimet, arsimimi, standardi jetësor dhe që e afron Kosovën me familjen perëndimore jo me fjalë, por me punë. Kosova nuk ecë përpara me dramë, por me punë. Dhe koha e punës fillon kur ndalojmë teatrin e rrëmujës”, ka shkruar Mustafa.




