Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, të udhëhequr nga kryetari Bedri Hamza, në të cilën është diskutuar dhe vendosur për organizimin e partisë në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit.
Në këtë mbledhje, kryesia ka miratuar formimin e Shtabit Qendror Zgjedhor, i cili do ta udhëheqë procesin organizativ dhe koordinues të fushatës.
“Me vendim të Kryesisë, shtabi do të udhëhiqet nga ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili me përvojën, integritetin dhe profesionalizmin e tij, do të garantojë një organizim efikas dhe dinamik drejt fitores”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Poashtu, Kryesia ka vendosur që pas zgjedhjes së Bedri Hamzës, Kryetar i PDK-së, Arian Tahiri të jetë Ushtrues Detyre i Kryetarit të Degës në Mitrovicë.
Kryesia ka mbështetur edhe koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës me Grupin e Deputetëve të Familjes.
“PDK hyn në këto zgjedhje me unitet të plotë, me struktura të mobilizuara dhe me besim në projektin e saj për një qeverisje të përgjegjshme, stabile dhe në shërbim të qytetarëve. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë t’i informojë mediat dhe opinionin publik për secilin hap të mëtejmë të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin për media




