Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 200 mijë euro në formë të shpërblimit për Përfaqësuesen e futbollit pas plasimit historik në barazhin për kualifikimet e Kupës së Botës.
Propozimi i vendimit është kumtuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Kurti e prezantoi propozim-vendimin si “një lajm të mirë për Përfaqësuesen tonë në futboll”
“Për suksesin historik të kalimit në fazën e plej-offit të Kupës së Botës, me vendim të qeverisë sot do të ndajmë 200 mijë euro për djemtë tanë dhe Përfaqësuesen e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti tha se qeveria në detyrë zotohet të shpërblejë me premio në vlerë 500 mijë euro fitoren potenciale kundër Sllovakisë, rivalit të Kosovës në gjysmëfinalen e pllej-ofit të Botërorit.
Në rast të kualifikimit në Kupën e Botës, Kurti tha se qeveria zotohet edhe për një milion euro të tjera për Përfaqësuesen e Kosovës.
Kësisoj, në rast të triumfit në gjysmë-finale dhe pastaj në finale, djemtë e kombëtares së futbollit do të përfitonin 1.5 milion euro premio nga shteti.




