Lahi Brahimaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një intervistë për TV Dukagjini ka folur për situatën në veri dhe për përpjekjet e Policisë së Kosovës, duke komentuar edhe figurat publike dhe mungesën e tyre në luftë.
“Prej ditës së parë është KFOR-i amerikan përgjegjës për kufirin, nuk ka asnjë ndryshim. Unë kam qenë në veri kur kam qenë në mandatin 2012-2013, në çdo lagje të veriut, edhe sot isha te Kulla e Isa Boletinit. Atëherë ka pasur, sot ka simbole serbe; ka pasur ndonjë pengesë aty-këtu, por çdo herë Policia e Kosovës ka qenë kujdestare dhe e ka kryer punën me përpikëri, dhe është e rëndë me iu hup atë mund, atë djersë atyre djemëve, atyre vajzave që shërbejnë në veri, policë të Kosovës, që ka djem të rinj e çika të reja; edhe janë vrarë në veri policët tanë, që përulem para gjakut të tyre edhe në të kaluarën por edhe tani”.
“Neve po na fajësojnë se nuk ka kaluar buxheti i Kosovës, por jo: mbani mend, bash ata polic që u përballën me bandat serbe kriminale në rastin “Banjska”, po ata polic me ardhë me protestu në oborrin e Qeverisë për mëditjet e tyre që iu takojnë nga kjo qeveri; ata polic që edhe kryeministri edhe Xhelal Sveçla krenohen me punën e tyre që e çliruan veriun, i detyruan me ardhë me protestu para Qeverisë. Me ardhë me të shit mend Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi që e çliruan veriun, është e rëndë”.
Brahimaj komentoi më tej figurat publike:
“Xhelal Sveçla ka nejt një ditë ushtar dhe e ka gjuajtur uniformën. Elbert Krasniqi është ministër mirë boll tash, ai mundet me shit mend që e ka çliruar Kosovën, kur Xhelal Sveçla e ka gjuajtur uniformën. Xhelal Sveçla — nuk po them në atë formën klasike që e ka gjuajtur uniformën në baltë, por ka ikur nga lufta, nuk e ka përballuar; është njerëzore edhe me u tut nuk ka asgjë të keqe. Xhelal Sveçla nuk ka qëndruar në luftë fillim e mbarim, sikurse Albin Kurti nuk ka qëndruar në luftë nga dita e parë. Unë kam qenë kur ka ardhur bashkë me Adem Demaçin në malet e Berishës. Albin Kurti në asnjë rrethanë nuk ka pranuar me qenë pjesë e luftës. Adem Demaçi e ka propozuar që të jetë sekretar i zyrës, por me kohën ka dhënë dorëheqje edhe nga ajo detyrë”.




