Ymeri: Asnjë nga premtimet kryesore të Kurtit s’u realizua plotësisht, qytetarët po humbin nga inflacioni
Analisti politik, Visar Ymeri ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk ka përmbushur pothuajse asnjë nga premtimet kyçe të dhëna para marrjes së pushtetit, duke theksuar se rezultatet e deritanishme janë larg asaj që ishte premtuar.
Sipas Ymerit, asnjë nga zotimet e qeverisë nuk mund të quhet i realizuar në plotësi, përveç ndonjë rritjeje të ndihmave sociale, e cila, sipas tij, nuk vlen si realizim real, pasi nuk është indeksuar dhe është përpirë nga inflacioni.
“Nëse i kqyr të gjitha premtimet, asnjëra prej tyre nuk mundesh me thanë që u realizu në plotësi, me përjashtim të mbase rritjes së ndihmës sociale në kuptimin e shtimit të skemave. Por as ajo nuk është realizu si premtim në kuptimin e mosindeksimit të ndihmave sociale dhe në kuptimin e gllabërimit të rritjes nga inflacioni”, tha Ymeri në “VV Show”.
Ai tha se rritja e kostos së jetesës ka neutralizuar çdo përfitim minimal që mund të kenë qytetarët nga vendimet e qeverisë.
“Nëse ti i merr ti 100 euro në muaj, e jeta t’u ka shtrejtu 140 euro, ti nuk je duke fitu,” shtoi ai.
