Zbulohet arsyeja tronditëse e sulmit terrorist në Australi që la të vdekur 10 persona
Autoritetet australiane kanë konfirmuar zyrtarisht se ngjarja e rëndë e ndodhur në Bondi Beach është klasifikuar si akt terrorist i qëllimshëm, i motivuar nga urrejtja antisemitike.
Policia e New South Wales bëri të ditur se sulmi plotëson të gjitha kriteret ligjore për terrorizëm, çka ka sjellë aktivizimin e menjëhershëm të njësive speciale të kundër-terrorizmit dhe zgjerimin e hetimeve në nivel kombëtar.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, së bashku me kryeministrin e NSW, Chris Minns, deklaruan se dhuna ishte e planifikuar për të goditur drejtpërdrejt komunitetin hebre në Sidnei. Sipas tyre, zgjedhja e vendit dhe kohës nuk ishte rastësore, pasi sulmi ndodhi gjatë një aktiviteti publik në kuadër të festës së Hanukës.
Hetuesit kanë identifikuar njërin nga të dyshuarit si Naveed Akram, ndërsa autoritetet kanë bastisur një pronë të lidhur me të. Mësohet se ai ishte i njohur për policinë, por nuk figuronte në lista aktive të vëzhgimit për terrorizëm.
Deri më tani, asnjë organizatë ekstremiste nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë, ekspertët e sigurisë vlerësojnë se targetimi i qartë, simbolika e ngjarjes dhe koha e zgjedhur tregojnë një motiv të fortë ideologjik dhe synim për të përhapur frikë dhe destabilitet.
Autoritetet australiane kanë shtuar masat e sigurisë në zona publike, veçanërisht pranë institucioneve fetare dhe eventeve të komunitetit hebre, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe motivet pas këtij akti të rëndë që tronditi vendin.
