Shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në këtë komunë, shkak i vërshimeve nga shiu dhe bora
Drejtoria për Arsim në Komunën e Fushë Kosovës ka njoftuar se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë deri më 19.01.2026.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë si pasojë e gjendjes aktuale të krijuar nga kushtet atmosferike, ku reshjet e shiut dhe borës kanë vështirësuar qarkullimin, si dhe për shkak të problemeve me sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore.
DKA ka vlerësuar se aktualisht nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Vendimi është marrë me qëllim të garantimit të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të siguruar mbarëvajtjen e rregullt të procesit arsimor.
Drejtuesit e institucioneve arsimore janë lutur që të njoftojnë me kohë stafin mësimdhënës dhe prindërit për këtë vendim, ndërsa për çdo informatë shtesë, publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare.
