Dallimi i madh në vota te kandidatët gjatë rinumërimit, vjen reagimi i parë nga PDK-ja
Pas dallimeve të mëdha në vota në PDK gjatë rinumërimit, në një komunikatë të lëshuar për media nga kjo parti thuhet se po përcjellin me vëmendje procesin dhe se “indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme”, shkruan Reporteri.net.
Sipas PDK-së, eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institicioneve e qytetarëve.
“Për ne si subjekt politik, indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme. Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkelë parimet demokratike që ne mbrojmë. Standardi ynë është i qartë dhe çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe kujdes, nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.
Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve”, thuhet në reagim.
Tutje thonë se PDK është e përkushtuar për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektim të votës.
“Partia Demokratike e Kosovës i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin.
Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon përkushtimin e palëkundur për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektimin e votës së qytetarëve”, thuhet në reagim.
