Sulm ndaj policëve në Pejë, tre zyrtarë përfundojnë në spital
Një incident i rëndë ka ndodhur në fshatin Novosellë të Pejës, ku tre zyrtarë policorë janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, mëson Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 2 maj 2026 rreth orës 02:05, kur një patrullë policore, duke u kthyer nga Pika Kufitare Kullë, ka hasur në dy persona të përfshirë në një mosmarrëveshje.
Sipas informacioneve, policia u ka dhënë urdhra verbalë për ndalim, por të njëjtit nuk i kanë përfillur. Pavarësisht rezistencës, zyrtarët policorë kanë arritur t’i arrestojnë duke përdorur forcë minimale.
Gjatë ndërhyrjes, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor. Lëndime ka pësuar edhe i dyshuari S.B, rreth 37-vjeçar, i cili gjatë tentimit për arratisje është rrëzuar dhe është goditur në kokë.
Sipas burimeve, i dyshuari gjatë arrestimit dhe transportimit drejt stacionit policor ka kërcënuar për jetë zyrtarët policorë, ndërsa gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një mjet i mprehtë – brisk.
Me udhëzim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
