Mësohet nëse do të jetë kandidate për deputete Majlinda Kelmendi
Majlinda Kelmendi nuk do t’i bashkohet asnjë iniciative apo subjekti politik, pavarësisht interesimit dhe ofertave që ka marrë nga figura të ndryshme politike në Kosovë.
Kështu ka deklaruar për KosovaPress kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, pas raportimeve dhe spekulimeve se kampionia olimpike mund t’i bashkohej listës së presidentes Vjosa Osmani.
Kuka konfirmoi se Majlinda Kelmendi ka pasur oferta për t’u përfshirë në politikë, përfshirë edhe nga presidentja Osmani.
“Po, Majlinda si figurë emblematike e sportit të Kosovës ka pasur oferta të jetë pjesë e partive të ndryshme politike, duke përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani”, deklaroi Kuka.
Megjithatë, ai theksoi se Kelmendi e ka refuzuar mundësinë për t’u angazhuar politikisht, pasi fokusi i saj mbetet sporti dhe zhvillimi profesional në xhudo.
“Por Majlinda, me gjithë respektin për gjithë spektrin politik kosovar, nuk ka planifikuar që të jetë pjesë e ndonjë partie politike. Ajo është e orientuar në zhvillimin e sportit të xhudos dhe në avancimin e saj në profesionin e trajneres së xhudos në kuadër të Klubit të Xhudos Ippon dhe Federatës së Xhudos së Kosovës”, shtoi ai.
