Vjosa ‘nuk ndalet’, prezanton aderimin më të ri
Tashmë bartësja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani ka prezantuar sot Kreshnik Çollakun si pjesë të rrugëtimit të saj politik për zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një postimi, Osmani e ka cilësuar Çollakun si një figurë me përvojë në diplomaci, politikë dhe angazhim akademik, duke theksuar kontributin e tij në mbështetje të Kosovës dhe orientimit euro-atlantik të shqiptarëve.
Sipas saj, Çollaku për më shumë se 20 vite ka qenë pedagog universitar, ndërsa në periudha të rëndësishme për Kosovën ka shërbyer edhe në Ambasadën e Shqipërisë në Washington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën.
Osmani ka rikujtuar gjithashtu se ai ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe pjesë aktive e diplomacisë parlamentare, ku ka mbrojtur çështjen e Kosovës në forume rajonale dhe ndërkombëtare.
Ajo ka vlerësuar edhe rolin e tij si një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 në Shqipëri, si dhe angazhimin e tij si këshilltar për politikë të jashtme në Presidencë.
“Ne besojmë se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për njerëz me përvojë, integritet dhe vizion”, ka shkruar Osmani, duke i uruar mirëseardhje Çollakut në këtë rrugëtim politik./GazetaInfokus
