Gjini: Diaspora nuk ka votuar ashtu siç kanë dalë rezultatet, dikush ka marrë lekë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka shprehur dyshime lidhur me procesin e votimit të diasporës në zgjedhje.
Në një intervistë në emisionin “Click” në RTV21, Gjini deklaroi se, sipas tij, rezultatet e votimit të diasporës nuk pasqyrojnë vullnetin real të mërgimtarëve.
Ai pretendoi se votat e diasporës janë ndikuar përmes asaj që e quajti “patronazhim”, duke pohuar se në disa raste fletëvotimet janë mbledhur nga persona të caktuar brenda komuniteteve në diasporë.
Sipas Gjinit, disa qytetarë mund t’i kenë dorëzuar fletëvotimet me dëshirën e tyre, ndërsa për raste të tjera ai ngriti pretendime se mund të ketë pasur edhe përfitime financiare.
“Diaspora nuk ka votuar ashtu siç kanë dalë rezultatet. Pyeteni vetë diasporën, ka njerëz fantastikë atje”, u shpreh Gjini, duke shtuar se, sipas tij, rezultatet nuk reflektojnë qëndrimin e shumicës së mërgimtarëve.
