Tentoi ta godasë policin me veturë gjatë ndalimit në Prizren – arrestohet 32-vjeçari
Një incident serioz ka ndodhur në Prizren, ku një shofer dyshohet se tentoi ta godiste me veturë një zyrtar policor pasi u ndalua për vozitje të rrezikshme, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuar është D.B, rreth 33-vjeçar.
Sipas informatave, ngjarja ka ndodhur më 15 maj 2026 rreth orës 18:55 në fshatin Serbicë e Poshtme.
Sinjali mëson se patrulla policore kishte pranuar informacion për një automjet me targa “04 … ….” që po zhvillonte vozitje të rrezikshme.
Pas lokalizimit dhe ndalimit të veturës, gjatë komunikimit me policët, i dyshuari dyshohet se kishte nisur automjetin me vrull në drejtim të njërit prej zyrtarëve policorë, me qëllim goditjeje.
Burimet bëjnë të ditur se pas urdhrave të përsëritur policorë, ai kishte ngadalësuar lëvizjen dhe më pas ishte vënë nën kontroll nga zyrtarët policorë.
Gjatë arrestimit, i dyshuari ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe fillimisht është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit, e më pas është shoqëruar në stacion policor.
Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa hetimet po zhvillohen nga Njësia Rajonale e Hetimeve.
Rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
