E goditi babanë në kokë dhe u arratis, arrestohet pas disa orësh i dyshuari
Një konflikt i rëndë familjar në fshatin Pagarushë të Malishevës ka përfunduar me arrestimin e një 29-vjeçari, i cili dyshohet se sulmoi fizikisht babanë e tij dhe më pas u arratis nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se Policia ishte alarmuar për një rast të dhunës në familje në këtë fshat, ku patrulla policore pas daljes në vendin e ngjarjes kishte hasur viktimën, N.K, me lëndime në pjesën e kokës.
Sipas dyshimeve fillestare, lëndimet i ishin shkaktuar nga djali i tij, Q.K, pas një konflikti që kishte eskaluar në dhunë fizike brenda familjes.
Për shkak të gjendjes së tij, viktima ishte dërguar për trajtim mjekësor në QMF-Malishevë, ndërsa i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe për disa orë kishte qenë në arrati.
Pas veprimeve operative dhe hetimore të Policisë, është arritur të sigurohet prezenca e të dyshuarit, i cili më pas është intervistuar nga njësia e hetimeve dhe zyrtari primar për dhunë në familje.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Q.K është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, derisa rasti po hetohet si “Dhunë në familje”.
