Heroi i xhamisë në San Diego: Babai i tetë fëmijëve sakrifikoi jetën për të shpëtuar besimtarët
Një ngjarje tragjike ka tronditur San Diego, ku një sulm me armë në një xhami la të vdekur tre persona, mes tyre edhe roja e sigurisë që po cilësohet hero nga autoritetet dhe komuniteti lokal.
Viktima kryesore, Amin Abdullah, baba i tetë fëmijëve, humbi jetën teksa përpiqej të mbronte besimtarët gjatë sulmit. Sipas policisë, reagimi i tij i shpejtë ndihmoi në shmangien e një tragjedie edhe më të madhe.
“Shembulli i tij ishte heroik. Pa dyshim, ai shpëtoi jetë”, deklaroi shefi i policisë së San Diegos, Scott Wahl.
Komuniteti mysliman në qytet e përshkroi Abdullahun si një person të dashur dhe gjithmonë mikpritës ndaj vizitorëve të xhamisë. Në sulm humbën jetën edhe dy besimtarë të tjerë, të identifikuar si Mansour Kaziha dhe Nader Awad.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se dy autorët e dyshuar u gjetën më vonë të vdekur nga plagë të vetëshkaktuara, ndërsa hetimet po zhvillohen si rast i mundshëm i motivuar nga urrejtja.
Sulmi ka nxitur reagime të shumta në SHBA. Zëvendëspresidenti JD Vance e dënoi ashpër ngjarjen, duke bërë thirrje për unitet dhe refuzim të gjuhës së urrejtjes.
Ndërkohë, për familjen e Amin Abdullahut është hapur një fond ndihme online, i cili deri tani ka mbledhur mbi 1.6 milionë dollarë.
